Nuk do të ketë përballje Kosovë – Shqipëri në “play-off”, ja pse!
Pas ndeshjeve të orës 18:00 në kualifikimet e Botërorit 2026, është konfirmuar se nuk do të ketë përballje Kosovë – Shqipëri në “play-offin” e Botërorit.
Kjo vjen pas humbjes së Shqipërisë nga Anglia dhe fitores së Ukrainës ndaj Islandës, që do të thotë se kuqezinjtë nuk do të dalin në vazon e dytë të shortit të “play-offit”.
Edhe Kosova edhe Shqipëria do të jenë pjesë e vazos së tretë dhe kështu nuk do të ketë një ndeshje mes tyre në këtë “play-off”.
Kosova dhe Shqipëria do të jenë mysafire në ndeshjet gjysmëfinale të “play-offit”, që luhen marsin e ardhshëm.
Kosova në kualifikimet e rregullta parashihet të përfundojë e dyta në Grupin B, përveç nëse e mposht Zvicrën 6-0 – kështu do të dilte e para. Ndeshja Kosovë – Zvicër luhet të martën, më 18 nëntor. “Dardanët” kanë dhjetë pikë, teksa “Helvetikët” i kanë 13 pikë.
Ndërkohë, te Shqipëria gjithçka ka përfunduar. Shqipëria e mbylli këtë kampanjë kualifikuese si e dyta në grup, pas Anglisë, e cila mori tetë fitore nga tetë ndeshje.

