Nuk do të ketë njohje “as faktike dhe as de jure” të Kosovës, thotë Vuçiq teksa shfaqet para një harte me Kosovën brenda Serbisë

Nuk do të ketë njohje “as faktike dhe as de jure” të Kosovës, thotë Vuçiq teksa shfaqet para një harte me Kosovën brenda Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë më 11 mars se nuk do të ketë njohje “as faktike dhe as de jure” të pavarësisë së Kosovës.

Dhe këtë gjë, Vuçiq e ka thënë gjatë një mitingu në një sallë, në qytetin Vranjë të Serbisë, ku është parë edhe një pankartë ku shkruante “Serbia i realizon ëndrrat e veta”.

Madje, në pankartën e vendosur në podiumin ku ka folur presidenti serb, përkatësisht në prapavijë – shihej një hartë ku Kosova është paraqitur si pjesë e Serbisë, përcjell Telegrafi.

“Nuk do të jem unë ai që do ta nënshkruaj pavarësinë e Kosovës,… Nuk ka dorëzim, ne nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës as de fakto as de jure, por ne duam paqe me shqiptarët, duam marrëdhënie të mira”, citohet të ketë thënë Vuçiq, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Ai vlerësoi se pas fillimit të luftës në Ukrainë, situata gjeopolitike në Evropë dhe në botë ndryshoi “më drastikisht dhe në mënyrë dramatike” sesa pas rënies së Murit të Berlinit, por shtoi se “në Serbi ka nga ata që bëjnë sikur nuk shohin sa e vështirë është pozita e vendit”.

Vuçiq po ashtu deklaroi se pas formimit të Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë qëndron nënshkrimi i BE-së dhe se një obligim i tillë “ndoshta po përmbushet”.

Më 27 shkurt, Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shprehën gatishmërinë për të vazhduar me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e njohur si plani franko-gjerman.

Megjithatë, më 9 mars, Vuçiq tha për televizionin “Happy” të Beogradit se Serbia nuk do të pajtohet dhe nuk do të heshtë për hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe as nuk do ta njohë Kosovën.

Vuçiq dhe Kurti do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

MARKETING