Një tjetër foshnje vdes nga uria në Gaza

Një tjetër foshnje vdes nga uria në Gaza

Një tjetër foshnje ka vdekur nga uria në Rripin e Gazës, ku ushtria izraelite krahas sulmeve të dhunshme ka imponuar uri duke kufizuar ndihmën humanitare, raporton Anadolu.

Sipas informacioneve të marra nga burimet lokale dhe shëndetësore, 2-vjeçari Ahmed Samir Abdulal vdiq nga kequshqyerja e rëndë në spitalin “Nasser” në Khan Younis. Foshnja që kishte ikur nga Rafah me familjen e tij dhe ishte strehuar në zonën Mawasi në perëndim të Khan Younis, po luftonte për mbijetesë në një tendë të improvizuar.

Duke jetuar në kushte ku qasja në ushqim, qumësht dhe nevoja të tjera themelore ishte pothuajse e pamundur, Abdulal vdiq nga kequshqyerja në spitalin “Nasser” në jug të Gazës.

Mjekët thanë se Abdulal duhet të kishte peshuar mesatarisht 12 kilogramë për moshën e tij, por ai peshonte vetëm 8 kilogramë në kohën e vdekjes së tij. Vdekja e Abdulalit është bërë simbol i urisë që thellohet çdo ditë e më shumë në rajon.

Sipas një deklarate nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, numri i palestinezëve që kanë vdekur nga kequshqyerja dhe uria që nga fillimi i sulmeve më 7 tetor 2023, është rritur në të paktën 160, prej të cilëve 91 janë fëmijë. Burime lokale theksojnë se Izraeli i ka mbajtur të mbyllura pikat e kalimit kufitar për më shumë se 5 muaj, duke penguar hyrjen e ushqimit për foshnjat, ilaçeve dhe produkteve bazë ushqimorë.

Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) në një deklaratë më 29 korrik tha se një në tre persona në Rripin e Gazës nuk ka ngrënë për ditë të tëra dhe se rajoni po përjeton një “skenar të rastit më të keq” të urisë.

MARKETING