Një pjesë e Shqipërisë në errësirë, OSHEE: Defekt i rëndë në linjat e transmetimit
Disa qytete të vendit si Durrësi, Vlora, Fieri dhe Lushnja u zhytën në errësirë totale këtë të diel.
Ndërprerja ndodhi rreth orës 17:30 njëherazi në të gjitha qytetet.
Errësira pushtoi Durrësin, duke krijuar një situatë kaotike, pasi edhe sistemet e ndriçimit në rrugë dhe autostradë u fikën. Vetëm porti dhe objekte të tjera me rëndësi të veçantë u furnizuan me energji elektrike nëpërmjet gjeneratorëve.
E njëjta situatë ishte edhe në qytetin e Fierit dhe rrethinat e tij, ku energjia elektrike u ndërpre. Po ashtu, Lushnja, Vlora dhe Saranda u përballën me të njëjtën situatë.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike konfirmoi se bëhet fjalë për një defekt të rëndë në një linjë të tensionit të lartë në zonën e Beratit. Në Fier dhe Elbasan mësohet se kanë rënë linjat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit të tensionit 220 kV.
Shkaku i defektit nuk dihet ende, ndërsa grupet e punës kanë dalë në terren për të rikthyer situatën në normalitet. Ndërprerja e energjisë elektrike shkaktoi gjithashtu probleme në linjat e internetit dhe shërbimet e kompanive celulare.