Një person nga Shkupi gjendet i vdekur në Liqenin e Dibrës

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në Liqenin e Dibrës, ku një burrë 46-vjeçar, me inicialet M.I. nga Shkupi, humbi jetën si pasojë e mbytjes. Ngjarja u raportua rreth orës 16:05, pasi trupi i pajetë u gjet pranë fshatit Papradnik, në territorin e Komunës Qendra Zhupë.
Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe përfaqësues të Prokurorisë Publike, të cilët kryen inspektimin e nevojshëm. Trupi i viktimës është dërguar për autopsi, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.
Sipas informacioneve të marra nga Spitali i Përgjithshëm, në trupin e të ndjerit nuk janë konstatuar shenja dhune. Viktima rezulton të ketë qenë peshkatar i rregullt dhe posedonte leje të vlefshme për peshkim në zonë.
Ky është rasti i dytë i mbytjes në Liqenin e Dibrës gjatë këtij viti. Ngjarja pason tragjedinë e fundit të qershorit, kur një grua 27-vjeçare humbi jetën pranë plazhit të qytetit.