Një familje e tërë zhduket në sul*met ajrore izraelite në Liban, pavarësisht thirrjeve për armëpushim
Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për një armëpushim të përkohshëm, avionët luftarakë izraelitë vazhduan të godasin Libanin, duke shkaktuar shumë viktima ndër të cilat edhe një familje të tërë libaneze, transmeton Anadolu.
Agjencia Kombëtare Libaneze e Lajmeve (NNA) raportoi se nata e kaluar dëshmoi sulmet më të ashpra ajrore izraelite në qytetin Baalbek dhe rrethinat e tij në lindje të Libanit.
Sipas agjencisë NNA, e cila nuk specifikoi numrin e anëtarëve të familjes së vrarë, një familje e tërë humbi jetën në një sulm në shtëpinë e tyre në qytetin Chaat.
Dëshmitarët okularë për Anadolu konfirmuan se avionët izraelitë po ashtu kryen sulme ajrore gjatë natës në qarkun Tyre në jug të Libanit, përfshirë qytetet Tayr Debba, Bediaas, Maarakeh dhe Bazourieh.
Sulme u raportuan edhe në qarkun Nabatieh, përfshirë qytetet Kfar Remen dhe Zawtar.
Vazhdimi i sulmeve ajrore vdekjeprurëse izraelite në Liban vjen pavarësisht thirrjes së mbrëmshme nga SHBA-ja, Bashkimi Evropian (BE) dhe nëntë vendeve të tjera që u kërkonin të dyja palëve të bien dakord për një armëpushim 21-ditor për t’i “siguruar hapësirë diplomacisë”.
Izraeli ka goditur disa zona në Liban që nga mëngjesi i të hënës në mes të një përshkallëzimi të luftës ndërkufitare me Hezbollahun. Sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 610 persona janë vrarë që atëherë dhe mbi 2 mijë të tjerë janë plagosur.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një përleshje ndërkufitare që nga fillimi i luftës izraelite në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë të paktën 41.500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar kundër sulmeve në Liban, pasi ato ngjallin spektrin e përhapjes së konfliktit të Gazës në rajon.