Një e treta e deputetëve në BE janë gra, në Maqedoni 37,5 për qind
ë vitin 2025, gratë zënë 33,6 për qind të vendeve në parlamentet kombëtare në Bashkimin Evropian, duke shënuar rritje prej 5,4 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2015, tregojnë të dhënat më të fundit të Eurostatit.
Në Maqedoninë e Veriut, përfaqësimi i grave në parlament është edhe më i lartë se mesatarja e BE-së. Sipas të dhënave, 37,5 për qind e deputetëve janë gra, që paraqet rritje prej 3,4 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2015.
Ndër vendet e BE-së, përfaqësimin më të madh të grave në parlament e kanë Finlanda me 46,0 për qind, Suedia me 44,8 për qind dhe Danimarka me 44,7 për qind. Në anën tjetër, përqindjen më të ulët e kanë Qipro me 14,3 për qind, Hungaria me 15,6 për qind dhe Rumania me 22,0 për qind.
Krahasuar me vitin 2015, pothuajse të gjitha vendet e BE-së kanë regjistruar rritje të përqindjes së grave deputete. Përjashtim bën Gjermania, ku është shënuar rënie prej 3,5 pikë përqindjeje. Rritjen më të madhe e kanë shënuar Letonia me 19,0 pikë përqindjeje, Malta me 14,8, Franca me 10,9 dhe Çekia me 10,6 pikë përqindjeje.
Sa i përket përfaqësimit në qeveri, gratë zënë 31,9 për qind të posteve në qeveritë kombëtare të vendeve të BE-së, që është rritje prej 4,2 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2015.
Në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, gratë përfaqësohen me 12,5 për qind, që është rritje prej 2,5 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2015.
Pjesëmarrja më e lartë e grave në qeveri regjistrohet në Finlandë, ku ato përbëjnë 60 për qind të kabinetit qeveritar. Në Suedi është arritur barazi gjinore me 50 për qind, ndërsa në Francë gratë përbëjnë 48,6 për qind të anëtarëve të qeverisë.
Në të kundërt, Hungaria nuk ka asnjë grua në qeverinë e saj kombëtare, ndërsa Rumania ka vetëm 10,5 për qind dhe Çekia 11,8 për qind.
Në shumicën e vendeve të BE-së është shënuar rritje e pjesëmarrjes së grave në qeveri që nga viti 2015. Rritjen më të madhe e ka regjistruar Finlanda me 26,7 pikë përqindjeje, e ndjekur nga Lituania me 20,4 dhe Estonia me 17,5 pikë përqindjeje.
Nga ana tjetër, ulje të përfaqësimit të grave në qeveri janë regjistruar në gjashtë vende të BE-së: Rumania (-24,5), Sllovenia (-7,7), Çekia (-5,8), Holanda (-4,2), Belgjika (-1,1) dhe Polonia (-0,8).

