Një 32-vjeçar akuzohet për sulmin masiv me thikë në trenin drejt Londrës
Një 32-vjeçar është akuzuar për sulmin masiv me thikë në një tren me shpejtësi të lartë i cili po udhëtonte drejt Londrës të shtunën, e nga i cili mbetën të lënduar 11 persona.
Anthony Williams nga Peterborough, është akuzuar për 11 akuza për tentativë vrasjeje, një akuzë për dëmtim trupor dhe një akuzë për posedim të një objekti me teh, ka bërë të ditur policia Britanike e Transportit.
Policia ka thënë të dielën në mëngjes se dy burra ishin arrestuar, por deri atë ditë në mbrëmje njëri prej tyre, një burrë 35-vjeçar nga Londra, ishte liruar pa asnjë veprim të mëtejshëm.
Policia ka thënë se ai nuk ishte i përfshirë në sulm.
Sulmi ka ndodhur të shtunën në mbrëmje në linjën e trenit nga Doncaster për në London King’s Cross.
Sulmi ka shkaktuar devijimin e trenit për një ndalesë emergjente në Huntingdon në Cambridgeshire rreth një orë pas fillimit të udhëtimit.
Policia ka thënë se nuk ka asgjë që të sugjerojë se incidenti kishte motive terroriste dhe i ka kërkuar publikut të japë informacione.
Njëmbëdhjetë persona janë trajtuar në spital, katër prej të cilëve janë liruar më vonë. Dy pacientë ishin në një gjendje kritike për jetën, ka thënë policia në një konferencë për shtyp të dielën në mëngjes.

