Nis hetimi ndaj 53-vjeçarit për vrasjen në Ohër
MARKETING
Prokuroria Themelore Publike në Ohër ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një personi, për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer veprën penale – Vrasje. Ngjarja ka ndodhur mw 25 mars, kur i dyshuari 53-vjeçar nga Bërvenica e Tetovës, për motive përfitimi, i ka marrë jetën një personi. Veprën e ka kryer në shtëpinë e të dëmtuarit në Ohër, me qëllim që ta pengojë tani të ndjerin Klime Mitreski që të prishë kontratën për përkujdesje të përjetshme, të cilën e kishin lidhur te noteri në shkurt të vitit 2025. Sipas kontratës, i dyshuari pas vdekjes së të dëmtuarit duhej të përfitonte një pasuri të madhe. Por, i dëmtuari tashmë kishte ndërmarrë veprime për ta prishur atë dokument. “Pas një përplasjeje verbale rreth vendimit të të dëmtuarit për ta prishur kontratën, i dyshuari e ka sulmuar nga prapa, e ka rrëzuar në tokë dhe e ka goditur disa herë në kokë me grusht metalik. Gjatë gjithë kohës e ka mbajtur të dëmtuarin me njërën dorë mbi gojë dhe hundë, duke i pamundësuar frymëmarrjen dhe duke i shkaktuar vdekjen. Pasi është bindur se viktima nuk jepte shenja jete, është larguar nga vendi i ngjarjes”, informoi Prokuroria. Prania dhe veprimet e të dyshuarit në periudhën kritike janë regjistruar në pamjet e video-mbikëqyrjes të vendosura në shtëpinë e të dëmtuarit, ndërsa gjatë procedurës paraprake janë siguruar edhe pamje të tjera të lëvizjes së tij, si dhe prova të tjera materiale. Pas kryerjes së veprës, i dyshuari ka ndërmarrë veprime për fshehjen e gjurmëve.

