Nis gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë/ Akuzohen për krime lufte, thirren 312 dëshmitarë

Nis gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë/ Akuzohen për krime lufte, thirren 312 dëshmitarë

Sot në Gjykatën Speciale të Krimeve të Luftës në Kosovë, në Hagë fillon gjykimi i katër komandantëve të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë ndërmjet viteve 1998 dhe 2000. Prokuroria ka bërë të ditur se në këtë proces do të nxjerrë 312 dëshmitarë. Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot do të nisin deklaratat hyrëse në rastin gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prokurori i specializuar fillimisht do të mbajë deklaratën e tij. Gjyqtarët i kanë caktuar atij një afat prej pesë orësh për të mbledhur rastin që synon ta paraqesë.

Pas kësaj, avokati i viktimave do të mbajë fjalën e tij dhe atij i është caktuar një afat prej 45 minutash. Në ditët në vijim do të mbahen edhe avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Hashim Thaçi ishte lider politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së Kosovës 1998/99, deri në shpërbërjen e saj. Kadri Veseli ishte shef i inteligjencës së UÇK-së, Jakup Krasniqi ishte zëdhënës i UÇK-së ndërsa Rexhep Selimi ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Aktakuza përfshin pretendime për privim të paligjshëm të lirisë, keqtrajtim, torturë dhe vrasje, krime kundër njerëzimit dhe zhdukje me forcë dhe persekutim. Në aktakuzë thuhet se këto krime kanë ndodhur midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999. Lufta në Kosovë ka përfunduar praktikisht me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës dhe vendimin për tërheqjen pa kushte të trupave serbe nga Kosova. “Marrëveshja ushtarako-teknike në Kumanovë” është nënshkruar me datën 9 qershor 1999, pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s kundër forcave serbe, që asokohe kishin nisur një fushatë të gjërë spastrimi të Kosovës. Sipas disa burimeve forcat serbe kanë vrarë në Kosovë mbi 12.000 dhe kanë dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre rreth 800.000 shqiptarë. Për këto krime ka pasur disa gjykime dhe denime në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi në Hagë.

Sipas aktakuzës së Gjykatës Speciale, krimet ku pretendohet të jenë përfshirë edhe ish-krerët e UÇK mendohet se janë kryer në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë, në Kukës dhe Cahan. Autorët e këtyre krimeve thuhet të jenë pjesëtarë të UÇK-së, ndërsa viktima ishin qindra civilë dhe njerëz që nuk donin të merrnin pjesë aktive në luftime.

Sipas Dhomës së Posaçme, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi mbajnë përgjegjësi personale penale për krimet e përshkruara në aktakuzë. Të akuzuarit i kanë mohur në paraqitjet e deritanishme të gjitha këto pohime të prokurorisë.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të “organizatës së përbashkët kriminale” për ndjekjen e “qëllimit të përbashkët për të fituar kontrollin e plotë të Kosovës me çdo mjet të nevojshëm”, kanë bërë këto krime midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999. Në aktakuzë po ashtu thuhet se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi personalisht kanë marrë pjesë në kërcënime, marrje në pyetje, keqpërdorime dhe arrestime të kundërshtarëve. Prokurorët thanë se ata kanë siguruar dhe do të paraqesin gjatë procesit të gjykimit rreth 56.000 dokumente, të cilat ia kanë dorëzuar edhe mbrojtjes. Tre javë më parë u publikuan për herë të parë emrat e disa prej viktimave që besohet se janë vrarë apo rrëmbyer me forcë dhe për të cilët akuzohen Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi.

MARKETING