Nikolloski: Në fund të verës pres që të lëshojmë edhe një pjesë të autostradës Kërçovë – Ohër, pjesa nga Klimeshtani deri në Ohër

Nikolloski: Në fund të verës pres që të lëshojmë edhe një pjesë të autostradës Kërçovë – Ohër, pjesa nga Klimeshtani deri në Ohër

Autostrada Kërçovë-Ohër është simbol dhe udhëkryq midis dy kohërave, mosinteresimit, paaftësisë dhe mosveprimit të LSDM-së dhe BDI-së dhe përkushtimit dhe punës së kësaj qeverie të VMRO-DPMNE-së. Qytetarët tani janë të kënaqur dhe rezultatet janë të dukshme në terren. Në fund të verës, pres të hap një pjesë tjetër të autostradës për qarkullim, segmenti nga Klimeshtani deri në Ohër, thotë zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski.

“Autostrada Ohër-Kërçovë është simbol për atë punë, e thashë kur u zgjodha se ajo është simboli. Mund të zbatojmë dhjetëra projekte të tjera, por nëse nuk e përfundojmë këtë projekt, do të jemi të njëjtë me ato të mëparshmit, nëse e përfundojmë siç po e përfundojmë, atëherë do të jemi ndryshe nga ato të mëparshmit. Qytetarët janë të kënaqur sepse rezultatet e para janë të dukshme, i kemi njëzet kilometrat e parë funksionalë dhe është normale të pyesim se kur do të përfundojë plotësisht. Nuk do të devijojmë asnjë ditë nga ajo që është rënë dakord me Kontraktorin dhe bankat, afati është fundi i vitit të ardhshëm dhe deri në fund të vitit të ardhshëm e gjithë autostrada, 57 kilometra e gjatë, do të jetë funksionale dhe mund të përdoret. Ndërkohë, kemi edhe një lajm të mirë, deri në fund të verës presim që edhe tetëmbëdhjetë kilometra shtesë, pjesa nga Klimeshtani deri në hyrje të Ohrit, të përfundojë dhe të vihet në funksion, thotë Nikolloski në një intervistë për TV Alfa, duke folur për projektet infrastrukturore që po zbatohen në vend.

Ai vlerësoi se bëhet fjalë për mospërkushtimin dhe mosveprimin e qeverisë së kaluar.

“Në përgjithësi mund të them se bëhej fjalë për mospërkushtim dhe mosveprim. Ne ishim zgjedhur në fund të qershorit, na u deshën tre muaj të shohim ku janë problemet, çka është bërë ose pse nuk është bërë dhe tashmë nga muaji tetor të kemi një mobilizim të fuqishëm. Tani kemi më shumë se 1100 -1200 punëtorë, mbi 300 kamionë, mbi 110 makina të cilat punojnë, mobilizim i cili nuk është parë më herët dhe ja rezultatet janë para të gjithë neve”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.

Ai potencoi se po punohet në projekte të shumta në pjesën e infrastrukturës së autostradave dhe hekurudhore dhe paralajmëroi projekte të reja në periudhën e ardhshme.

“Në pjesën e autostradave, po punojmë shumë, po punojmë në autostradën Tetovë-Gostivar si pjesë e autostradës Shkup-Strugë-Ohër, po punojmë në autostradën e dytë, që është segmenti nga Gostivari në Bukojçani ose Strazha e njohur. Aktualisht, kemi një tender për seksionin nga Bukojçani në Kërçovë, që është lidhja që mungon, po punojmë edhe në autostradën nga Manastiri në Prilep, autostrada eksprese nga Gradsko në Farishë tashmë është përfunduar. E kemi vënë në funksion seksionin nga Kumanova në Kriva Pallankë, e kemi përfunduar edhe seksionin nga Gjevgjelia në Bogdanci, pra po punojmë në rrjetin e autostradave në shumë fronte dhe rezultatet janë të dukshme. Ja hekurudha, gjatë këtij viti do të fillojmë me zbatimin e projektit Treni i qytetit, rindërtimin e mëtejshëm të pjesëve më të rëndësishme të qarkullimit të mallrave dhe sigurisht shumë shpejt hekurudha me shpejtësi të lartë në Korridorin 10. Ja edhe puna në Korridorin 8 sepse kemi njëfarë progresi me palën bullgare dhe nëse kjo konfirmohet do të punojmë për lidhjen me Bullgarinë. Po punohet intensivisht në seksionin e dytë, të parin nga Kumanova në Beljakovcë e nisëm në janar, dhe çdo ditë kemi mundësuar edhe tren nga Shkupi në Kumanovë”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.

MARKETING