Nikolloski: Maqedonia merr një vëllim historikisht më të lartë të mjeteve për realizimin e projekteve kapitale

Maqedonia po merr një vëllim historikisht më të lartë të mjeteve për realizimin e projekteve kapitale me marrëveshjen që do ta nënshkruajmë Qeveri me Qeveri të enjten në Londër, vlerësoi zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski pasi Qeveria miratoi sot Marrëveshjen e Partneritetit Strategjik me Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me një partneritet për realizimin e projekteve infrastrukturore.
MARKETING
Qëllimi i Marrëveshjes është të vendosë partneritet për të mbështetur realizimin e projekteve infrastrukturore në sektorët e shëndetësisë, transportit, teknologjisë, energjetikës, transformimit digjital dhe sektorëve të tjerë kritikë në Republikën e Maqedonisë. Projektet e planifikuara me marrëveshjen janë ndërtimi dhe rikonstruksioni i Korridorit hekurudhor 10 nga Tabanoci në Gjevgjeli, i cili, siç njoftoi Nikolloski, duhet të kushtojë rreth një miliard e 900 milionë euro deri në dy miliardë euro, ndërsa ndërtimi i Spitalit Klinik, Fakultetit të Mjekësisë dhe Konviktit të studentëve në Shtip, rikonstruksioni i plotë i Spitalit Klinik në Tetovë dhe ndërtimi i një spitali të ri me një shtëpi të re shëndetësore në Kërçovë, rreth 200 milionë euro. Për këo projekte nga gjashtë miliardë eurot e planifikuara sipas marrëveshjes, do të shpenzoheshin 2.1 deri në 2.2 miliardë euro, të cilat, sipas këmbënguljes së palës maqedonase, do të shlyheshin pas përfundimit.
Nikolloski njoftoi se është shumë e rëndësishme që në përputhje me Marrëveshjen, do të shkëmbehen njohuritë dhe praktikat duke përdorur ekspertizë nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe subjektet afariste britanike për të mbështetur realizimin e projekteve, por edhe transformimin e administratës publike dhe sektorit privat me ekspertizë nga komuniteti i biznesit në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga agjencitë qeveritare.
“Do të shkëmbehen njohuri në shëndetësi, transport, teknologji, energjetikë dhe sektorë kryesorë kritikë, ndërsa ekspertiza e Mbretërisë së Bashkuar do të përdoret për të ndërtuar kapacitetet e Qeverisë së Maqedonisë. Ky bashkëpunim do të jetë në përputhje me legjislacionin ekzistues, rregullat dhe politikat në fuqi të secilit prej dy vendeve. Pjesëmarrësit do të punojnë së bashku për të hulumtuar mundësitë për të mobilizuar mjete për të financuar projekte dhe, ajo që është shumë më thelbësore, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar konfirmon interesin dhe kapacitetin e saj përmes Instrumentit të Financimit të Eksportit ose UKEF, duke vënë në dispozicion pesë miliardë paundë ose gjashtë miliardë euro për projekte në Maqedoni. Theksoj se ky do të jetë financimi i projektit dhe financimi që do të shkojë ekskluzivisht me realizimin e projekteve. Kjo është kornizë që nuk do të thotë se do të përdoret plotësisht, por është kornizë që është në dispozicion dhe që mund ta përdorim”, tha Nikolloski.
Ai theksoi se ishte krenar që Qeveria dhe ai personalisht morën ftesë zyrtare nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për të nënshkruar marrëveshjen Qeveri me Qeveri më 22 maj. Në delegacion do të jenë edhe Zëvendëskryeministri dhe ministër i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti, ministrja e Arsimit Vesna Janevska, Drejtori i NP për Infrastrukturën Hekurudhore Sinisha Ivanovski dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
“Do të kemi dy ditë të frytshme për të bashkëpunuar. Nesër kemi takime me ministrin e Brendshëm të Mbretërisë së Bashkuar dhe ministrin e Mbrojtjes, kemi takime edhe me përfaqësues të Instrumentit të financimit. Të enjten është ceremonia kryesore, e gjithashtu të enjten do të kem takim me drejtorin e Rajaner, ku pres që të rezultojnë edhe fluturime të reja drejt Shkupit, paralajmëroi zëvendëskryeministri Nikolloski.
Ai theksoi se bëhet fjalë për moment historik dhe se 22 maji do të ishte një datë që do të përmendej gjatë në historinë maqedonase sepse bëhet fjalë për marrëveshja më voluminoze deri tani që Maqedonia e ka arritur me cilindo shtet.
“Ky nuk është çfarëdo shteti, është fuqia e dytë botërore, një shtet me të cilin kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm brenda Aleancës së NATO-s, është pjesë e qytetërimit perëndimor, vendos në dispozicion më së shumti mjete dhe për mua është momenti më i rëndësishëm politik meqë po hyjmë në partneritet me një aleat kyç perëndimor që përcakton qartë politikën e Qeverisë, por po ashtu edhe pozicionin e Maqedonisë si shtet i orientuar pro-perëndimor dhe shtet që respekton vlerat euroatlantike. Gjithashtu më vjen mirë që Mbretëria e Bashkuar njoftoi se kishte arritur marrëveshje me BE-në, që do të thotë se kemi tre aleatët kryesorë të Maqedonisë në një paketë, përkatësisht BE-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.
Sipas tij, kushtet për shlyerjes dhe normat e interesit për mjetet e marrëveshjes do të jenë më të mira se çdo huamarrje e deritanishme. Financimi do të lidhet me projektin. Në disa projekte, maturimi do të jetë më i shkurtër, në disa do të jetë më i gjatë, do të varet nga gjendja e ekonomisë dhe buxhetit të Maqedonisë, por edhe nga realizimi i projekteve”, tha Nikolloski.
Lidhur me normat e interesit, ai tha se “fillimisht është e mundur të lëvizim nën normën e inflacionit”, por detajet do të tregohen pas një muaji deri në një muaj e gjysmë.