Nikolloski: Deri në vitin 2031 do të përfundojë ndërtimi i hekurudhës me shpejtësi të lartë

Nikolloski: Deri në vitin 2031 do të përfundojë ndërtimi i hekurudhës me shpejtësi të lartë

Planifikimi për ndërtimin e hekurudhës me shpejtësi të lartë ka nisur që në tetor dhe pritet të përfundojë deri në verë, kur edhe do të fillojnë punimet në terren. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski, duke folur për projektet strategjike hekurudhore të vendit.

“Aktualisht po punojmë në fazën më të rëndësishme të projektit – planifikimin dhe përgatitjen, e cila nuk është e dukshme për qytetarët. Kur planifikimi bëhet mirë, edhe projektet më të ndërlikuara realizohen shpejt dhe në kohë”, tha Nikolloski, duke theksuar se shembuj pozitivë janë autostradat Demir Kapija–Smokvicë dhe Shkup–Shtip, ndërsa si shembull negativ përmendi aksin Ohër–Kërçovë.

Sipas tij, pesë vjet pas fillimit të punimeve, projekti do të përfundojë plotësisht, ndërsa hekurudha me shpejtësi të lartë nga kufiri veri–jug pritet të jetë gati në vitin 2031. Duke qenë se do të ndërtohet me binarë të dyfishtë, një linjë hekurudhore pritet të jetë funksionale që në vitin 2028.

Duke folur për Korridorin 8, Nikolloski njoftoi se ekipet e hekurudhave të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë po punojnë intensivisht në dokumentacionin për ndërtimin e tunelit ndërkufitar.

“Procedurat e tenderimit po zhvillohen mirë në të dyja palët. Në Bullgari marrëveshja është miratuar dhe ratifikuar, ndërsa nga ana jonë detyrimet janë përmbushur. Pavarësisht krizës aktuale politike atje, ekipet teknike vazhdojnë punën”, tha ai.

Sipas zëvendëskryeministrit, së shpejti pritet të formohet një komitet i përbashkët që do të përgatisë dokumentacionin final për tunelin ndërkufitar, i cili me gjasë do të bazohet në projektin ekzistues të zhvilluar nga Hekurudhat e Maqedonisë.

Investimi total për lidhjen e plotë hekurudhore mes Shkupit dhe Sofjes pritet të tejkalojë 2 miliardë euro, nga të cilat 810 milionë euro do të sigurohen nga pala maqedonase dhe rreth 1.2 miliardë euro nga pala bullgare.

MARKETING