Ngritet aktakuzë për anesteziologun nga Tetova, që incizoi jashtëligjshëm pacientët

Ngritet aktakuzë për anesteziologun nga Tetova, që incizoi jashtëligjshëm pacientët

Është ngritur aktakuzë për incizim të paautorizuar të pacientëve në spitalin e Tetovës. Kështu njoftuan sot nga Prokuroria Themelore Publike.

“Prokuroria Themelore Publike e Tetovës, në Gjykatën Themelore në Tetovë, ka dorëzuar aktakuzë kundër një personi për vepra penale – Keqpërdorim në shërbim nga neni 353-c paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1, si dhe incizim i paautorizuar nga neni 152 paragrafi 2 i Kodit Penal”, thonë nga Prokuroria.

Anesteziologu nga Tetova, sipas prokurorisë ka vepruar në mënyrë neglizhente dhe ka shkelur rëndë të drejtat e pacientëve dhe stafit mjekësor.

“Në procedurën e zhvilluar paraprake janë mbledhur prova që mbështesin dyshimin e bazuar se i pandehuri në cilësinë e zyrtarit anesteziolog i punësuar në Spitalin klinik të ISHP-së në Tetovë, më 14 prill, ka bërë incizim të paautorizuar të pacientëve dhe punëtorëve dhe e ka publikuar atë drejpërdrejt në një rrjet social, duke vepruar në mënyrë të dukshme neglizhente në ushtrimin e kompetencave dhe detyrave të tij dhe duke shkelur rëndë të drejtat e tyre”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Prokurori publik në Gjykatën Themelore në Tetovë ka dorëzuar propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit. /Telegrafi/

 

MARKETING