Nga Samiti i Diasporës në Tiranë, imami Halili: Bota në krizë, duhet besim dhe vetëdije
Sot mbahen punimet e ditës së fundit të edicionit të katërt të samitit të diasporës në Tiranë që bëri bashkë shqiptarë nga 38 vende të botës.
Aktiviteti në Pallatin e Kongreseve nis me një moment reflektimi dhe bashkimi shpirtëror, ku përfaqësues të komuniteteve fetare nga të gjitha besimet mblidhen për të ndarë mesazhe paqeje, harmonie dhe shprese, ku uruan njëzëri “Zoti e bekoftë Shqipërinë!”
Imam Dr. Rifat Halili, folësi kryesor i këtij aktiviteti, reflektoi mbi krizën në botë dhe rolin e besimit për të ndihmuar njerëzit. Imami theksoi forcimin e unitetit dhe mbrojtjen e popullit shqiptar e të drejtave.
“Një botë në krizë, një thirrje për vetëdije. Narrativat përçajnë, frika zëvendëson besimin. Kur bota errësohet, njerëzit e besimit duhet të sjellin besimin. Ne duhet të japim një model. Shqiptarët kanë ruajtur besimin, traditën, dinjitetin. Një komb që ruan shpirtin e tij, nuk humbet kurrë. Le të themi se do ta ruajmë dinjitetin tonë, do ta kultivojmë respektin. Pa dinjitet nuk ka unitet dhe pa unitet nuk ka të ardhme”, tha Dr.Rifat Halili.
Më tej aktiviteti pason te roli i diasporës shqiptare si një aktor strategjik në përshpejtimin e integrimit evropian, trashëgimisë së pasur kulturore, historike dhe gjuhësore të komuniteteve arbëreshe, promovimi i identitetit kombëtar në diasporë, kontributit të diasporës shqiptare në forcimin e hallkave që lidhin prodhimin bujqësor me tavolinën, nga fusha dhe sera, tek agropërpunimi, agrobiznesi, bujtinat dhe restorantet ndërkombëtare.

