Nga Rripi i Gazës janë lëshuar 469 raketa drejt Izraelit

Nga Rripi i Gazës janë lëshuar 469 raketa drejt Izraelit

Nga Rripi i Gazës drejt Izraelit janë kryer 469 sulme me raketa, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thuhet se 333 nga 469 raketat e lëshuara nga Gaza arritën në Izrael ndërsa 107 prej tyre ranë brenda kufijve të Rripit të Gazës. Nuk u dha informacion për 29 raketat e mbetura.

Raportohet se sistemi i mbrojtjes ajrore bllokoi 153 raketa ndërsa disa raketa goditën vendbanimet dhe shkaktuan dëme materiale. Mësohet se një nga raketat e lëshuara nga Gaza ka goditur një shtëpi në qytetin e Sderotit dhe nga incidenti nuk ka persona të plagosur.

Njësia e Zjarrfikësve dhe e Shpëtimit të Distriktit Jugor të Izraelit raportoi se një nga raketat e lëshuara nga Gaza goditi kopshtin e një shtëpie në Ashkelon. Zjarrfikësit e ndalën zjarrin dhe nuk pati të plagosur.

Nga ana tjetër, thuhet se ushtria izraelite sulmoi 133 objektiva që i përkisnin Lëvizjes Xhihadi Islamik. Ushtria izraelite ka vazhduar sulmet e saj në Rripin e rrethuar të Gazës për dy ditë me radhë.

Është bërë e ditur se avionët luftarakë izraelitë kanë shënjestruar tokat bujqësore në pjesë të ndryshme të Gazës, dy shtëpi janë shkatërruar dhe nuk raportohet për të plagosur nga sulmet që shkaktuan dëme materiale.

Lëvizja Xhihadi Islamik paralajmëroi se nëse Izraeli vazhdon të sulmojë shtëpitë në rajon, do të hakmerret kundër Tel Avivit dhe brenda Izraelit.

Në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, humbën jetën 21 persona, përfshirë gra dhe fëmijë ndërsa 64 të tjerë u plagosën. Tre persona nga stafi ushtarak i Lëvizjes Xhihadi Islamik ishin në mesin e atyre që humbën jetën në sulmet izraelite ndaj Rripit të Gazës dje.

MARKETING