Nga nesër verifikimi i listës zgjedhore në katër komuna pa cenzus
Duke filluar nga dita e nesërme, qytetarët e komunave Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë do të kenë mundësi të verifikojnë të dhënat e tyre në listën zgjedhore. Shqyrtimi publik do të jetë i hapur nga 26 nëntori deri më 10 dhjetor.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) u bën thirrje të gjithë votuesve që kanë nevojë të përditësojnë apo korrigjojnë të dhënat e tyre, që të paraqesin kërkesat përkatëse në mënyrë elektronike ose fizikisht në zyrat rajonale të KSHZ-së. Po ashtu, qytetarët ftohen të raportojnë edhe personat e afërt të familjes që kanë ndërruar jetë, me qëllim që emrat e tyre të hiqen nga lista zgjedhore.
Nënkryetari i KSHZ-së, Abdush Demiri, bëri të ditur se njësitë dhe zyrat rajonale do të punojnë çdo ditë nga ora 08:00 deri në 20:00, ndërsa më 10 dhjetor 2025, ditën e fundit të shqyrtimit publik, programi do të zgjatet deri në ora 24:00. Gjatë kësaj periudhe, qytetarët mund të paraqesin kërkesa për regjistrim, plotësim ose fshirje të të dhënave të paraqitura në listën zgjedhore.
Kujtojmë se zgjedhjet e përsëritura në këto komuna, ku nuk u arrit cenzusi në raundin e kaluar, janë dekretuar nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe do të mbahen më 11 janar.

