Nga 15 nëntori, hyn në fuqi detyrimi për posedim të pajisjeve dimërore në automjete
Nga 15 nëntori 2025, hyn në fuqi detyrimi ligjor për posedimin e pajisjeve të detyrueshme dimërore në automjete, në përputhje me Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor dhe Rregulloren për pajisjet dimërore.
Sipas ligjit, çdo shofer që nuk respekton rregullat për përdorimin dhe mbajtjen e këtyre pajisjeve do të gjobitet me 45 euro (në kundërvlerë denarë).
Çfarë kërkon ligji?
Për automjetet deri në 3.500 kg
Duhet të kenë goma dimërore në të gjitha rrotat me thellësi minimale 4 mm.
Nëse përdoren goma verore, ato duhet të kenë të paktën 4 mm thellësi, ndërsa automjeti duhet të pajiset me zinxhirë dëbore të përshtatshëm për rrotat lëvizëse.
Për automjetet me të gjitha rrotat aktive (4×4)
Kërkohen goma dimërore në të gjitha rrotat me thellësi minimale 6 mm.
Në rast se përdoren goma verore (min. 4 mm), duhet të ketë zinxhirë bore për rrotat e pasme ose për rrotat lëvizëse, në varësi të sistemit të lëvizjes.
Për automjetet mbi 3.500 kg (kamionë, autobusë, etj.)
Duhet të kenë goma dimërore në të gjitha rrotat me thellësi minimale 6 mm, ose goma verore me thellësi 4 mm dhe zinxhirë dëbore të përshtatshëm për madhësinë e gomave.
Autobusët dhe kamionët që nuk mund të vendosin zinxhirë në rrota duhet të kenë goma dimërore në rrotat aktive dhe një çantë mjetesh në bord.

