Neymar përdor një truk gjatë një ndeshje me Santosin që e detyroi FIFA-n të ndryshojë rregullat
Neymar riktheu shkëlqimin e viteve të arta me një lëvizje teknike që dikur detyroi FIFA-n të ndryshojë rregullat për ekzekutimin e penalltive dhe pothuajse funksionoi.
Sulmuesi 33-vjeçar, ish-ylli i Barcelonës dhe PSG-së, që tani luan për klubin e tij të fëmijërisë, Santos, bëri rikthimin e shumëpritur në ndeshjen kundër Fortalezas pas një periudhe të gjatë mungese për shkak dëmtimi.
Ai u fut në lojë në minutën e 67-të, duke zëvendësuar Victor Hugon dhe u prit me një ovacion të jashtëzakonshëm nga tifozët në ‘Estadio Urbano Caldeira’.
Pak më vonë, një autogol i Bruno Pachecos barazoi rezultatin dhe me rreth 15 minuta të mbetura, një Santos i rigjallëruar kërkoi me ngulm tre pikët e shumë nevojshme pas formës së dobët të javëve të fundit.
Në fakt, vetëm sekonda pas fillimit të kohës shtesë, Neymar ishte shumë pranë golit të fitores, pas një përpjekjeje për të realizuar një goditje dënimi me “Paradinha”.
Paradinha, një term që në portugalisht do të thotë “ndalesë e vogël”, u bë e famshme nga Pele në vitet 1970 dhe kishte për qëllim të çrregullonte kohën e reagimit të portierit.
Siç shihet në pamjet e ndeshjes, Neymar mori një hov normal drejt topit, u ndal pak para se ta godiste, dhe më pas simuloi një gjuajtje, duke bërë që muri mbrojtës i Fortalezas të kërcente para kohe, përpara se ta godiste topin me përpjekjen e tij të dytë.

