Nexhipi i jep lamtumirën FC Shkupit: Falënderues për çdo moment

Pas një periudhe gjashtëmujore në rolin e drejtorit sportiv te FC Shkupi, Nderim Nexhipi ka njoftuar largimin e tij nga klubi i Çairit. Lajmi është bërë i ditur përmes një deklarate publike, ku Nexhipi shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen që ka marrë gjatë këtij angazhimi.
“Dua t’ju njoftoj se po largohem nga posti i drejtorit sportiv te FC Shkupi! Falënderoj nga zemra gjithë klubin, trajnerët dhe futbollistët për bashkëpunimin dhe përkushtimin që kanë treguar gjatë kësaj periudhe të vështirë,” u shpreh ai.
Në veçanti, Nexhipi ka falënderuar tifozët e zjarrtë të klubit – “Shvercerat” – për mbështetjen e pandalshme në çdo sfidë, duke i cilësuar si një shtyllë të rëndësishme të ekipit.
Ky largim vjen pas një sezoni të vështirë për FC Shkupin, i cili përfundoi kampionatin në vendin e shtatë – një rezultat që nuk përputhej me pritshmëritë e klubit dhe tifozëve.