Netanyahu kërcënon me rifillim të sulmeve ndaj Gazës nëse Hamasi nuk çarmatoset

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërcënon me sulm të ri ndaj Rripit të Gazës nëse Hamasi nuk çarmatoset, transmeton Anadolu.
Në fjalimin e tij drejtuar kombit pasi armëpushimi në Gaza hyri në fuqi, Netanyahu falënderoi presidentin e SHBA-së, Donald Trump për marrëveshjen.
Ai tha se pas arritjes së marrëveshjes do të dorëzohen të gjithë pengjet izraelite në Gaza dhe pretendon se “Hamasi e pranoi këtë marrëveshje për shkak të presionit” që u erdh si rezultat i sulmeve që kryen ndaj Gazës.
Netanyahu tha se ata do të punojnë për të gjetur eshtrat e pengjeve të ndjerë dhe për t’i sjellë ato në Izrael, por nuk dha detaje rreth hapave që do të ndërmerren.
Duke mbrojtur idenë se Hamasi do të çarmatoset dhe Gaza do të çmilitarizohet, Netanyahu tha: “Nëse kjo (çarmatimi i Hamasit) mund të arrihet në mënyrën e lehtë, shkëlqyeshëm. Nëse jo, do të arrihet në mënyrën e vështirë”, ndërsa kërcënoi se nëse Hamasi nuk çarmatoset, sulmet ndaj Gazës do të nisin përsëri.