Në vendet e rajonit falet namazi i teravisë së parë me rastin e Ramazanit
Në vendet e rajonit, besimtarët myslimanë u mblodhën në xhami për të falur namazin e parë të teravisë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, raporton Anadolu.
Në shumë qytete u regjistrua pjesëmarrje e madhe e besimtarëve, të cilët mbushën xhamitë, ndërsa në disa vende u fal edhe në oborre e hapësira përreth, pavarësisht motit të ftohtë.
Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, besimtarë të shumtë u dyndën për të falur namazin e teravisë në Xhaminë e Shkupit, e ndërtuar nga Fondacioni i Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV). Xhamia, e cila hapi dyert për teravinë e parë, priti mijëra besimtarë, ndërsa shumë prej tyre u rreshtuan edhe jashtë saj.
Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, shumë besimtarët falën namazin e teravisë në Xhaminë e Namazgjasë, e ndërtuar nga Turqia dhe e hapur më 10 tetor 2024 me pjesëmarrjen e presidentit Recep Tayyip Erdogan. Përveç Namazgjasë, besimtarët u dyndën edhe në xhamitë e tjera të vendit.
Në xhamitë e Kosovës po ashtu u fal namazi i teravisë së parë me prani të një numri të madh të besimtarëve. Xhamia e Madhe në Prishtinë, “Sulltan Mehmet Fatih”, u mbush nga besimtarë të shumtë të cilët erdhën enkas të falin namazin e jacisë dhe teravisë.
Në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, Sarajevë, besimtarët myslimanë u mblodhën për teravinë e parë të Ramazanit në xhamitë e qytetit, në radhë të parë në xhaminë historike Gazi Husrev-beg.
Në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, namazi i teravisë u fal në Xhaminë Bajrakli, e vetmja xhami në qytet, ndërsa besimtarët u mblodhën gjithashtu edhe në xhamitë e rajonit të Sanxhakut, ku jeton kryesisht popullsi boshnjake.
Në Mal të Zi dhe Kroaci, besimtarët myslimanë gjithashtu mbushën xhamitë për namazin e parë të teravisë, duke shënuar fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

