Në Shkup shënohet 102-vjetori i themelimit të Republikës së Turqisë

Në Shkup shënohet 102-vjetori i themelimit të Republikës së Turqisë

Me një pritje solemne, në rezidencën e Ambasadës së Turqisë në Shkup u kremtua 102-vjetori i themelimit të Republikës së Turqisë, raporton Anadolu.

Në aktivitet morën pjesë personalitete të larta nga Maqedonia e Veriut, përfshirë kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ministra, deputetë, kryetarë komunash, si dhe përfaqësues të organizatave dhe institucioneve nga të dy vendet.

Ceremonia nisi me intonimin e himneve kombëtare të Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në fjalën e tij, Ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, falënderoi të pranishmit dhe përcolli përshëndetjet e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan. Ai kujtoi se Republika e Turqisë u themelua 102 vite më parë dhe theksoi përparimin e arritur në çdo fushë që nga ajo kohë.

“Që nga themelimi i Republikës, vendi dhe kombi ynë ka bërë hapa të mëdhenj në çdo fushë. Turqia është anëtare e OKB-së, NATO-s, OECD-së dhe G20-ës, si dhe vend kandidat për Bashkimin Evropian. Ajo luan një rol aktiv në politikën e jashtme, ndërmjetësim, industrinë e mbrojtjes, ndihmat humanitare dhe zhvillimin ndërkombëtar, duke kontribuuar në paqen botërore”, u shpreh Ulusoy.

Duke nënvizuar marrëdhëniet e ngushta midis dy vendeve, ai shtoi se Turqia dhe Maqedonia e Veriut janë të lidhura me njëra-tjetrën përmes lidhjeve të forta midis dy popujve.

Gjatë pritjes u lexua edhe mesazhi i presidentit Erdogan me rastin e 29 Tetorit, Ditës së Republikës së Turqisë.

Në kuadër të festimeve, Ambasada e Turqisë në Shkup, në bashkëpunim me Zyrën e Atasheut të Kulturës dhe Promovimit dhe Lidhjen e Organizatave Turke të Shoqërisë Civile në Maqedoni (MATUSİTEB) dhe me mbështetjen e Shoqatës së Esnafëve të Shkupit, më herët gjatë ditës organizoi ecje dhe program kulturor në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

MARKETING