Në RMV ka rreth 200 pacientë në listën e pritjes për organe
Në Maqedoninë e Veriut, rreth 200 pacientë ndodhen aktualisht në listën e pritjes për transplant organesh. Prej tyre, 165 pacientë presin transplant të veshkave, rreth 30 presin zemër, ndërsa pjesa tjetër janë në pritje për transplant të mëlçisë ose palcës së kockave.
Sipas Dushko Gjorgiev, kryetar i shoqatës së pacientëve me sëmundje të veshkave “Nefron”, disa pacientë presin për një organ prej dekadash, ndërsa një pjesë e tyre nuk arrijnë kurrë ta marrin atë.
“Ka pacientë që presin me vite të tëra dhe, për fat të keq, disa prej tyre nuk arrijnë kurrë të realizojnë transplantin”, thekson Gjorgiev.
Edhe pse vendi disponon ekipe mjekësore profesionale, përvojë dhe raste të suksesshme në fushën e transplantimit, ndërgjegjësimi për dhurimin e organeve mbetet i ulët. Veçanërisht sfidues vazhdon të jetë dhurimi i organeve nga donatorë të vdekur, theksojnë pacientët dhe shoqatat e tyre në deklaratat për Radion Evropa e Lirë.
Të dhënat tregojnë se në vitin 2025, familjet e tre donatorëve kanë dhënë pëlqimin për dhurimin e organeve, ndërsa në vitet 2024 dhe 2023 janë regjistruar nga dy donatorë për secilin vit.
Ndërkohë, autoritetet po përgatisin edhe ndryshime në Ligjin për Transplantim, të cilat do të mundësonin që dhurues të organeve të gjallë të jenë edhe kushërinj të parë. Deri tani, ligji e lejonte dhurimin vetëm nga rrethi më i ngushtë familjar, si prindërit, vëllezërit, motrat, gjyshërit, xhaxhallarët, hallat, fëmijët dhe nipërit apo mbesat.

