Në mesnatë përfundon masa e përkohshme e Kushtetueses, pritet vendimi i ri për konstituimin e Kuvendit

Në mesnatën e sotme përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ndaloi deputetët e legjislaturës së nëntë të ndërmarrin çfarëdo veprimi drejt konstituimit të Kuvendit.
Kjo masë u vendos pas dështimit të deputetëve për të respektuar afatin 30-ditor të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës më 26 qershor.
Në pritje të skadimit të kësaj mase, vendi është në pritje të një aktgjykimi të ri nga Kushtetuesja, i cili pritet të publikohet gjatë ditës së sotme.
Ky vendim pritet të jetë thelbësor për të qartësuar rrugën drejt konstituimit të Kuvendit të Kosovës, proces ky i bllokuar tashmë për muaj të tërë.
Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka theksuar se partia e tij do ta respektojë vendimin e ri të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht përmbajtjes së tij.
“Do të na njoftojnë se çfarë kanë vendosur të ndodhë pas këtyre 30 ditëve. Nuk e dimë ende cila do të jetë zgjidhja, por ne kemi deklaruar se do ta respektojmë aktgjykimin. Është një dëm i madh që Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend”, kishte deklaruar Kurti.
Situata aktuale është pasojë e një krize të thellë institucionale që ka përfshirë vendin, më shumë se pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Që nga seanca e parë e Kuvendit më 15 prill, janë bërë plot 54 përpjekje për ta konstituuar atë, por të gjitha kanë dështuar.
Një ditë pas vendosjes së masës së përkohshme nga Kushtetuesja, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tërhoqi kërkesën e saj të paraqitur në korrik, e cila kërkonte sqarim lidhur me pasojat nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit ligjor. Ajo arsyetoi këtë tërheqje me faktin se gjyqtari serb Radomir Llaban ishte caktuar si raportues i çështjes, duke e cilësuar këtë përzgjedhje si “të rrezikshme për rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit”.
Gjykata Kushtetuese vendosi masën e përkohshme ndërsa po shqyrton dy kërkesa të ndara të dorëzuara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
PDK i është drejtuar Gjykatës në fillim të korrikut, duke kundërshtuar mënyrën e propozuar nga LVV për krijimin e Komisionit për votim të fshehtë, si dhe ndërprerjen e seancës konstituive pas mosmiratimit të këtij komisioni.
Ndërkohë, LDK ka kërkuar interpretim kushtetues lidhur me vazhdimin e seancës pas datës 29 qershor, duke e cilësuar atë në kundërshtim me aktgjykimin e 26 qershorit dhe me Kushtetutën e Kosovës.