Në mbledhjen komemorative të mbajtur në Komunën e Çairit, u nderua jeta dhe vepra e Shpat Kasapit

Në mbledhjen komemorative të mbajtur në Komunën e Çairit, u nderua jeta dhe vepra e Shpat Kasapit

Me rastin e ndarjes nga jeta të këngëtarit të famshëm Shpat Kasapi, sot në Komunën e Çairit u mbajt mbledhje komemorative në të cilën u nderua jeta dhe vepra e tij.

“Sot nderuam jetën dhe veprën e Shpat Kasapit, në mbledhjen komemorative të mbajtur në Komunën e Çairit. Me respekt të thellë kujtuam dhe nderuam një artist të jashtëzakonshëm, një zë të veçantë dhe një njeri që la gjurmë të thella në muzikën shqiptare. Kontributi i tij mbetet i pazëvendësueshëm dhe do të jetojë gjatë në kujtesën tonë kolektive. Ngushëllime të sinqerta familjes Kasapi dhe të gjithë atyre që e vlerësuan dhe e deshën. Shpati do të kujtohet gjithmonë me respekt dhe dashuri, ashtu siç ishte edhe ai vet!”, shkroi Mexhiti në profilin e tij në Fejsbuk.

Nëna e Shpatit, Gjylymsere Kasapi, gjatë fjalimit të saj mes lotëve u shpreh se edhe pse ka ligjëruar 22 vite si profesoreshë sot ndjen një emocion që kurrë në jetë nuk e ka ndjerë dhe e dinë të gjitha nënat që kanë humbur fëmijën e vet. Ajo shtoi se shpreson se djali i saj do të prehet në paqe në parajsë pasi vitin e fundit nuk ishte i qetë.

“Ndoshta do të thoni se pse nuk jam në gjendje të flas sot. 22 vjet kam ligjëruar, por sot ndjej një emocion që kurrë në jetë nuk e kam ndjerë dhe e dinë të gjitha nënat që kanë humbur fëmijën e vet. Por në një aspekt tjetër, jam shumë krenare dhe e lumtur, siç thanë të gjithë, që paskam lindur një djalë jo vetëm i imi, por Shpati paska qenë i të gjithëve, i të gjithë juve. Le të prehet në paqe, le të jetë i qetë atje, pasi vitin e fundit nuk ka qenë i qetë. Dhe kjo ka qenë një parandjenjë e gjithë neve, që jemi shqetësuar si familje. Lus Zotin me lutjet e mija më të fuqishme, që të mi ruaj fëmijët e tjerë”, u shpreh zonja Gjylymsere Kasapi.

Bashkëshortja e Shpatit, Selvije Jao u shpreh se Shpati i ka falur një djalë si drita, Roelin dhe se ai i do të jetë shumë krenar dhe sidomos do të jetë shumë krenar, kur të shohë sa prej jush e keni dashur Shpatin.

“Mua si Selvije më ka kompletuar. Më ka mbështetur, më ka respektuar dhe më ka dashur, dhe mbi të gjitha më ka falur një djalë si drita. Roeli është vetëm 3 vjet e gjysmë. Dhe ai ende nuk e kupton se nuk e ka babanë e tij dhe unë nuk e di si do të rritet me këtë dhe nuk e di kush do t’i tregojë. Por e dij se do të jetë shumë krenar për babanë, që e ka dashur shumë Shpati. Është përkushtuar deri në frymën e fundit që Roeli të jetë me të gjitha të mirat, të rritet me të gjitha virtytet. Roeli do të jetë shumë krenar dhe sidomos do të jetë shumë krenar, kur të shohë sa prej jush e keni dashur Shpatin, sinqerisht, ashtu siç duhej të duhet Shpati. Unë i kam thënë shpesh Shaptit, ti je shumë i mirë për këtë jetë. Shumi i sinqertë për këtë botë mizore”, tha Selvije Jao.

Në mbledhjen komemorative ishin të pranishëm shumë qytetarë, miq, familjarë, politikanë dhe artdashës, për të nderuar kujtimin, kontributin artistik dhe trashëgiminë që Shpat Kasapi la pas.

Shpat Kasapi ndërroi jetë më 26 nëntor 2025 pas një sulmi kardiak që kishte pësuar derisa ka qenë në Itali, ndërsa u varros më 30 nëntor në varrezat e qytetit të Tetovës.

MARKETING