Në Maqedoni votohet në katër komuna: Vendvotimet janë hapur në kohë, përveç disa përjashtimeve
Sot në Maqedoninë e Veriut votohet në katër komuna, Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë. Votimi ka filluar në orën 7:00 të mëngjesit dhe përfundon në orën 19:00. Votuesit në vendvotime do të identifikohen me dokumente personale të vlefshme – letërnjoftim ose pasaportë, dhe identiteti i tyre do të konfirmohet gjithashtu me pajisje identifikimi biometrike, raporton SHENJA.
Përveç disa përjashtimeve dhe një vendvotimi që nuk është hapur fare dhe me gjasë atje nuk do të votohet fare, vendvotimet janë hapur në kohë, pra në orën 7:00.
Në Gostivar, të drejtë vote kanë 82.870 qytetarë, nga të cilët 78.185 votues janë banorë të përhershëm të komunës, ndërsa 4.604 votues janë të regjistruar në Listën e veçantë të votuesve për personat që jetojnë jashtë vendit. Në Listën zgjedhore për Mavrovë Rostushë janë regjistruar 10.575 persona, nga të cilët 9.622 janë të regjistruar në Listën e veçantë zgjedhore për banorët e Komunës, 951 jashtë vendit. Në Vrapçisht, 27.279 qytetarë janë të regjistruar me të drejtë vote, 26.318 në Listën e veçantë zgjedhore për banorët e Komunës dhe 950 në LZ-në e veçantë për votuesit që jetojnë jashtë vendit. Numri i votuesve në Qendër Zhupë të regjistruar në Listën zgjedhore është 7.562 persona, nga të cilët 6.305 në komunë dhe 1.257 persona janë të regjistruar në LZ-në e veçantë për votuesit jashtë vendit.
Sipas neneve 132, 132a dhe 133 të Kodit Zgjedhor, për zgjedhjet e përsëritura nuk kërkohet pjesëmarrje prej një të tretës së votuesve, por për të zgjedhur kryetar komune, më shumë se gjysma e votuesve që kanë dalë duhet të votojnë për njërin nga kandidatët, përfshirë Qendrën Zhupë ku ka vetëm një kandidat.
Kandidatët për kryetar komune të Gostivarit janë dy kandidatë. Në Vrapçisht poashtu dy. Në Qendër Zhupë, ka vetëm një kandidat. Në Mavrovë dhe Rostushë, ka dy kandidatë.
Zgjedhjet për kryetar komune në këto katër komuna po përsëriten sepse nuk dolën mjaftueshëm qytetarë për të votuar në zgjedhjet lokale të vitit 2025.
Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), në këto komuna, në raundin e parë më 19 tetor të vitit të kaluar, nuk u arrit pjesëmarrja ligjore prej të paktën një të tretës (33.33 përqind) të votuesve të regjistruar, gjë që është kusht që zgjedhjet të konsiderohen të suksesshme.
Në Gostivar, pjesëmarrja ishte 33.31 përqind, në Vrapçishtë – 25.18 përqind, në Mavrovë dhe Rostushë – 30.31 përqind dhe në Qendër Zhupë – 21.49 përqind.
Këto janë zgjedhjet e fundit për këtë përbërje të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Mandati i tyre përfundon më 15 janar, pra deri në zgjedhjen e një përbërjeje të re të Komisionit.

