Në Katar do të mbahet raundi i ri i bisedimeve për armë’pushim në Gaza

Në Katar do të mbahet raundi i ri i bisedimeve për armë’pushim në Gaza

Kryeministri i Katarit Mohammed bin Abdelrahman Al-Thani tha sot se në Doha do të mbahet një raund të ri i bisedimeve për armëpushimin në Gaza, raporton Anadolu.

“Dy delegacione amerikane dhe izraelite do të vizitojnë Dohën për të diskutuar mënyrat për të bërë një përparim në negociatat e armëpushimit në Gaza”, tha ai gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Antony Blinken.

Kryeministri, megjithatë, nuk specifikoi datë për vizitën e delegacioneve.

Bin Abdelrahman, i cili është gjithashtu ministër i Jashtëm, tha se bisedimet e tij me Blinkenin përfshinin përpjekjet e ndërmjetësimit për Gazën dhe planin e pasluftës për enklavën, duke i quajtur diskutimet “konstruktive”.

Katari po punon me Egjiptin për çdo iniciativë që synon arritjen e një armëpushimi në Gaza, tha ai, duke shtuar se vendi i tij mirëpriti takime me byronë politike të Hamasit në dy ditët e fundit.

Kryeministri i Katarit dënoi përshkallëzimin dhe bllokadën e Izraelit në Gazën veriore dhe “bombardimin sistematik të spitaleve atje”, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës në Gaza “sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Nuk ka asnjë justifikim për shënjestrimin e gazetarëve në zonat e konfliktit dhe justifikimet për ta bërë këtë janë të papranueshme”, vazhdoi ai.

Bin Abdelrahman theksoi se televizioni Al Jazeera me bazë në Doha “operon sipas standardeve më të larta ndërkombëtare të gazetarisë”.

Doha “dëshiron të shmangë çdo përshkallëzim në rajon dhe po flet me të gjitha palët për ta mbajtur nën kontroll situatën”, shtoi ai.

Përpjekjet ndërmjetësuese të udhëhequra nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari deri më tani kanë dështuar të prodhojnë një armëpushim në Gaza, por Washingtoni pohon se vrasja e liderit të Hamasit Jahya Sinwar nga Izraeli javën e kaluar mund të çojë në një përparim në bisedime. Hamasi, megjithatë, thotë se konflikti do të përfundojë kur Izraeli të ndalojë fushatën e tij ushtarake në enklavën e bllokuar, e cila ka vrarë më shumë se 42.800 njerëz që nga viti i kaluar.

Ushtria izraelite ka vazhduar ofensivën shkatërruese në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit vitin e kaluar, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.

Sulmet izraelite në Gaza kanë zhvendosur pothuajse gjithë popullsinë e territorit, krahas një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në Gaza.

MARKETING