Në javën e parë të dhjetorit mbledhje e KES, do të bisedohet për rritjen e pagës minimale

Në javën e parë të dhjetorit mbledhje e KES, do të bisedohet për rritjen e pagës minimale

Në javën e parë të dhjetorit do të mbahet Këshilli Ekonomik – Social në të cilin, sipas paralajmërimeve të ministrit të Ekonomisë, Besar Durmishi, do të bisedohet për rritjen e pagës minimale. Ministri Durmishi deklaroi sot se në Buxhet janë paraparë para për këtë qëllim, por se duhet të bisedohet me të gjitha palët e prekura se sa do të jetë rritja. Nga Lidhja e Sindikatave, të cilët në protestën e 1 Majit kërkuan rritje të të gjitha pagave, duke përfshirë edhe pagën minimale në 450 euro, thonë se argumentet janë në anën e tyre.

“Në mars, sipas ligjit do të bëhen llogaritjet dhe do të shihet sa do të jetë paga minimale. Mjete janë paraparë në buxhet që të rritet paga minimale, por sa do të jetë kjo, do të shohim gjatë janarit dhe shkurtit. Kur do të përfundojë viti, do të bëhen llogaritjet dhe do të shohim saktë për sa do të rritet paga minimale”, deklaroi sot Durmishi.

Thotë se ka vullnet politik që të rritet paga minimale, por se duhet të dëgjohen të gjitha palët e prekura.

“Unë dua që paga minimale të jetë edhe 600 euro. Realisht të themi, kërkesa është 450, unë dua të jetë 600 euro. Por, t’i shohim të gjitha palët e prekura, të hapet tema në ditët e para të dhjetorit. Do t’i dëgjojmë të gjitha palët e prekura, do t’i shohim edhe mundësitë e Qeverisë nëse janë paraparë aq mjete dhe nëse ka mundësi. Do t’i shohim edhe kërkesat e punëdhënësve sepse edhe ato janë palë të prekura nga kjo kërkesë dhe në fund do të marrim vendim të përbashkët”, theksoi Durmishi.

Sipas Durmishit, janë paraparë mjete për rritjen e pagës minimale për rreth 2.000 denarë që është në bazë të zgjidhjes ligjore sipas të cilës në mars paga minimale do të rritej për 1.600 deri 1.800 denarë.

Rritja e tillë, sipas kryetarit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafillov, nuk është e mjaftueshme për të mbijetuar, ndërsa rritja e pagës minimale nuk do të jetë barrë shumë e madhe për buxhetin shtetëror duke pasur parasysh atë se rreth 35.000 punëtorë marrin pagë në vlerë të pagës minimale ose nën pagën minimale.

“Sipas të dhënave të fundit, në Maqedoni 25.000 punëtorë marrin pagë në vlerë të pagës minimale, ndërsa 10.000 punëtorë marrin pagë nga një denar deri në 22.000 denarë, por ajo që është shkatërruese është se të gjithë këta punëtorë marrin pagë në zarf për të cilin nuk paguhen kontributet nga sigurimi i detyrueshëm social nuk paguhen dhe kjo shtetit i kushton rreth 250 mijë euro në vit, gjegjësisht kontribute të papaguara në Fond”, deklaroi Trendafilov.

Sipas Trendafillov, dialogu është i hapur lidhur me pagën minimale dhe argumentet janë në anën e sindikatave.

“Nëse e dini se paga minimale në Mal të Zi është nga 600 në 800 euro, nëse e dini se paga minimale në Bosnje dhe Hercegovinë do të jetë 600 euro nga 1 janari, nëse e dini se në Serbi është 544 euro dhe se shporta minimale sindikale  është 62.000 denarë tregon se pagat duhet të rriten. Bisedojmë për këtë çështje në lidhje me masat e qeverisë për kufizimin e marzheve dhe mendoj se në mbledhjen e ardhshme të KES do të paraqesim argumentet tona që duhet t’i bindim për nevojën e rritjes së të gjitha pagave, përfshirë edhe pagën minimale”, tha Trendafilov.

 

MARKETING