Në Arkivin Shtetëror të RMV-së janë angazhuar 14 të punësuar të rinj, të gjithë maqedonas, asnjë shqiptar

Bashkimi Demokratik për Integrim deklaroi se këtë javë në Arkivin Shtetëror të Maqedonisë së Veriut janë angazhuar 14 të punësuar të rinj – të gjithë maqedonas – dhe asnjë shqiptar.
MARKETING
“Kjo disbalancë tronditëse nuk është e rastësishme, por simptomë e një dukurie më të gjerë dhe shqetësuese – përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet e shtetit.
Edhe më shqetësues është fakti që për herë të parë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, asnjë nga pozitat udhëheqëse – as ajo e drejtorit, e as ajo e zëvendësdrejtorit – nuk i takon ndonjë përfaqësuesi nga komuniteti shqiptar.
Një nga institucionet kyçe për kujtesën dhe identitetin shtetëror është shndërruar plotësisht në një bastion monoetnik.
E gjithë kjo po ndodh në një periudhë kur institucionet po sulmohen sistematikisht në aspektin e përfaqësimit multietnik.
Në vend që të kultivohet bashkëjetesa dhe përfaqësimi i barabartë, jemi dëshmitarë të një eliminimi të planifikuar të shqiptarëve nga sektori publik.
Kjo është pasojë direkte e shfuqizimit të balancerit – mekanizmit që siguronte përfaqësim të drejtë etnik sipas Marrëveshjes së Ohrit.
Pa këtë instrument, mundësia për përfaqësim të barabartë zhduket dhe institucionet shtetërore gjithnjë e më shumë po ngjajnë në institucione njëetnike nga një kohë tjetër.
Edhe më tragjike është heshtja e mbetjeve të VLEN-it – nëntë deputetëve shqiptarë që mbështesin këtë Qeveri, të vetëshpallur përfaqësues të shqiptarëve – të cilët nuk reagojnë fare përballë kësaj fshirjeje masive të shqiptarëve nga administrata publike.
Heshtja e tyre i bën bashkëfajtorë në këtë diskriminim sistematik dhe në rrënimin e bashkëjetesës.
U bëjmë thirrje të gjithë atyre që besojnë në një Maqedoni të Veriut evropiane, të drejtë dhe multietnike të distancohen nga kjo Qeveri destruktive.
Sepse heshtja sot do të thotë bashkëpjesëmarrje në një padrejtësi historike”, thuhet në reagimin e BDI-së.