Ndryshimet kushtetuese do të shqyrtohen në një nga seancat e ardhshme të Qeverisë

Propozimi për ndryshimet kushtetuese është dorëzuar në Qeveri dhe pasi do ta shqyrtojë në njërën nga seancat e ardhshme, por jo më vonë se fundi i këtij muaji do të dorëzohet në Kuvend, tha sot nga Vilnius kryeministri Dimitar Kovaçevski, ku po merr pjesë në Samitin e NATO-s.

Në konferencën për shtyp Kovaçevski tha se ndryshimet kushtetuese nuk janë nën asnjë diktat, por janë pjesë e obligimeve të përcaktuara në Kornizën negociuese që u miratua në korrik të vitit të kaluar në Kuvend pa asnjë votë “kundër”.

Duke komentuar deklaratat e liderit të opozitës, Hristijan Mickovski se po i ndalon bisedimet për ndryshimet kushtetuese, Kovaçevski theksoi se secili ka të drejtë të izolohet, por jo të izolohet shteti. Ai mbetet i mendimit se duhet hapur një diskutim sepse është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm për shtetin.

“Ndryshimet kushtetuese janë votë për BE-në dhe për vazhdimin e rrugës evropiane. Për herë të parë kemi një situatë ku vetoja nuk vjen nga jashtë, por nga brenda. Të gjithë kanë të drejtë të izolohen, madje edhe të izolojnë një pjesë të partisë së tyre politike, por nuk kanë të drejtë të izolojnë shtetin. Retorika e tyre, e zhurmshme për një vit të tërë, pushoi së ekzistuari në ditën e mbledhjes së kryesisë. U pranuan të gjitha kushtet e kreut të opozitës. Pastaj, ndoshta nën një presion, të brendshëm apo nuk e di çfarë, ai përsëriti pikëpamjet e tij.

Lideri i opozitës, Hristijan Mickovski, në fundjavë tha se po i ndërpret të gjitha takimet me qeverinë për ndryshimet kushtetuese dhe se e vetmja gjë që mund të diskutohet janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vjeshtës.

MARKETING