Ndërron jetë analisti dhe publicisti i njohur nga Shkupi, Agim Jonuz
Pas një sëmundjeje të shkurtër, ka ndërruar jetë analisti dhe publicisti i njohur nga Shkupi, Agim Jonuz. Lajmin e hidhur e kanë bërë të ditur miq dhe bashkëpunëtorë të tij ndër vite.
Agim Jonuz ishte një nga zërat më të spikatur të analizës politike në Maqedoninë e Veriut, i njohur për qëndrimet e drejtpërdrejta, debatet publike dhe analizat e tij kritike mbi zhvillimet politike në vend dhe rajon.
Gjatë karrierës së tij, Jonuz ka mbajtur pozicione të rëndësishme në sektorin publik dhe privat, përfshirë edhe detyrën e zëdhënësit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në periudha të ndryshme, ku është vlerësuar për profesionalizmin dhe komunikimin e qartë me opinionin publik.
Përveç angazhimit në institucionet shtetërore, ai ka qenë aktiv edhe në fushën e biznesit, me veprimtari në Shkup, Ankara dhe Lindjen e Mesme, duke ushtruar rolin e këshilltarit dhe konsulentit në fusha të ndryshme ekonomike dhe të sigurisë.
Si analist politik, Jonuz ishte i pranishëm në debatet televizive dhe forumet publike, ku komentonte zhvillimet politike, marrëdhëniet ndëretnike dhe proceset euro-integruese të vendit.
Ai mbetet i kujtuar si një zë i guximshëm dhe profesional në jetën publike të Maqedonisë së Veriut.

