Ndërpritet seanca e Këshillit të Qytetit të Shkupit ku pritej të diskutohet për ndërtimet pa leje në Çair

Ndërpritet seanca e Këshillit të Qytetit të Shkupit ku pritej të diskutohet për ndërtimet pa leje në Çair

Këshilli i Qytetit të Shkupit sot duhej të mbante seancën e 19-të të jashtëzakonshme ku duhej të diskutohet për ndërtimet pa leje në komunat e Çairit dhe Sarajit. Duke pasur parasysh se ish kryetari i Këshillit, Trajko Sllaveski është emëruar për guvernator të Bankës Popullore, sipas Rregullores, seancën duhej ta drejtonte këshilltarja më e vjetër, Halide Palloshi nga BDI. Por, shkaku i mungesës së saj, me propozim të grupit të këshilltarëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, seancën e kryesoi Nikolla Panovski.

MARKETING

Në seancën e sotme, pritej që Këshilli i Qytetit të Shkupit të debatojë për ndërtimet e paligjshme në komunat Çair dhe Saraj në dy seanca të ndara- e para me iniciativë të grupit të këshilltarëve të LSDM-së, ndërsa e dyta nga VMRO-DPMNE ku seanca përfundoi para se të niste. Arsyeja ka qenë se shumica e këshilltarëve të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, nuk votuan rendin e ditës. Në fillim të seancës, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska e mori fjalën për paraqitje procedurale, ndërsa disa nga këshilltarët vlerësuan se ky nuk është fjalim mbi procedurat dhe kërkuan që t’i merret fjala.

Edhe pse u votua se ka bazë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme me propozim të këshilltarëve të LSDM-së në lidhje me ndërtimet pa leje në Çair, këshilltarët e VMRO-DPMNE-së nuk e mbështetën rendin e ditës. Me këtë, seanca u ndërpre para se të fillonte debati, pavarësisht pranisë së kryetares së komunës, Danella Arsovska dhe drejtorëve të ndërmarrjeve publike të qytetit.

Pastaj, Arsovska doli në foltore dhe akuzoi përsëri për siç tha ajo, “krime dhe falsifikime” kryetarin e Çairit, Visar Ganiu gjë që shkaktoi debat të ashpër midis saj dhe këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së të cilët i kërkuan Panovskit t’i merret fjala.

Pas konfliktit verbal dhe fyerjeve, këshilltari Stefan Kirkov tërhoqi propozimin e VMRO-DPMNE-së për seancën e dytë të jashtëzakonshme, kushtuar ndërtimeve pa leje në Saraj, duke shpjeguar se qytetarët nuk meritojnë të jenë dëshmitarë të “cirkut” që po ndodh në Këshillin e Qytetit të Shkupit.

“Është iluzore dhe populiste të mendohet se ndërtimet pa leje do të zgjidhen me një seancë të vetme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, kjo është një fushëbetejë ku koalicioni midis LSDM-së dhe Të Majtës bëjnë teatër dhe cirk nga puna në Qytetin e Shkupit. Për katër vjet, Danella Arsovska kishte kohë të reagonte ndaj të gjitha ndërtimeve pa leje, tani në katër muajt e fundit ajo ka vendosur të merret me populizëm dhe teatër që ne nuk e pranojmë. Ndërtimet pa leje nuk kanë ndodhur vitin e fundit dhe as nuk do të zgjidhen në katër muajt e ardhshëm”, ka thënë Kirkov.

Lubica Jançeva, koordinatore e grupit të këshilltarëve të LSDM-së dhe koalicionit në Këshillin e Qytetit të Shkupit në deklaratë tha se këshilltarët e VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM-it tërhoqën pikën e tyre, vetëm “për ta shpëtuar mafian urbane”.

“Nëse dikush deri tani nuk e kishte të qartë koalicionin kriminal midis VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it, sot në seancën e Këshillit të Qytetit të Shkupit kjo u bë e qartë si kristali. Pasi kuptuan se këshilltarët në seancën e Këshillit të Qytetit të Shkupit do të kenë mundësinë të diskutojnë për ndërtimet e egra në Saraj, si dhe në Çair dhe komuna të tjera, ata u rebeluan për të penguar seancën që vetë e kishin kërkuar. Çfarë fsheh Mickoski dhe kë mbron Pançe Toshkoski?…Deri kur VMRO-DPMNE do të sundojë me mafian urbane në Shkup dhe vend? Sa para janë të mjaftueshme për të kënaqur apetitet e Mickoskit, Ganiut dhe Mexhitit dhe vënien në rrezik të jetës së qytetarëve?, ka thënë Jançeva.

MARKETING