Ndalohen pesë persona për dhunë në familje gjatë 24 orëve të fundit

Ndalohen pesë persona për dhunë në familje gjatë 24 orëve të fundit

MPB Maqedoni njofton se në 24 orët e fundit pesë persona janë privuar nga liria për dhunë në familje. Rastet janë regjistruar në qytete të ndryshme të vendit.

“Më 24.06.2026, në orën 08:20 në Strumicë, nëpunës policorë nga SPB Strumicë e privuan nga liria P.P. (48) nga Strumica, duke vepruar sipas denoncimit të mëparshëm të ish-partneres së tij 43-vjeçare, e cila denoncoi se më 23.06.2026 rreth orës 23:00, në oborrin e shtëpisë së saj familjare, pas një grindjeje të shkurtër, e kishte sulmuar fizikisht. Sipas denoncimit, ai për një periudhë më të gjatë e kishte keqtrajtuar psikologjikisht dhe fizikisht, si dhe i kishte bërë kërcënime”.

“Më 23.06.2026, në orën 16:30, nëpunës policorë nga njësia policore në fshatin Zajas të rajonit të Kërçovës e privuan nga liria F.R. (45), pasi ishte denoncuar se në shtëpinë familjare kishte sulmuar motrën e tij me një send druri”.

“Më 24.06.2026, në orën 03:40 në Veles, nëpunës policorë nga SPB Veles e privuan nga liria K.Sh. (18), pasi ishte denoncuar se e mbante në shtëpinë etij partneren e tij 18-vjeçare nga një fshat i rajonit të Vinicës, e kërcënonte dhe nuk e lejonte të largohej nga shtëpia. Për rastin janë njoftuar prokurori publik dhe Qendra për Punë Sociale në Veles”.

“Më 23.06.2026, në ora 18:30 në rrugën „108“ në Tetovë, nëpunës policorë nga SPB Tetovë e privuan nga liria P.A. (36), pas denoncimit të babait të tij 60-vjeçar, i cili deklaroi se në oborrin e shtëpisë familjare ai ishte sjellë në mënyrë agresive, kishte dëmtuar një pjesë të orendive shtëpiake dhe kishte kërcënuar atë dhe bashkëshorten e tij”.

“Më 23.06.2026, në orën 19:40, nëpunës policorë nga NJPB Kriva Pallankë e privuan nga liria M.S. (19), pasi ishte denoncuar se gjatë periudhës së kaluar në disa raste e kishte ndjekur, shqetësuar dhe kërcënuar ish-të dashurën e tij 18-vjeçare. Ai është shoqëruar në stacion policor”, njoftojnë nga MPB.

Në fund thonë se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rasteve dhe, pas dokumentimit të tyre, ndaj kryerësve do të parashtrohen kallëzime përkatëse.

MARKETING