Mustafi emërohet zëvendëstrajner i Gjermanisë U-21

Ish-mbrojtësi i njohur i Kombëtares së Gjermanisë po me rrënjë shqiptare, Shkodran Mustafi, është shpërblyer për punën e tij në Kombëtaren gjermane U-17, ku shërbente si asistent i komisarit teknik Marc-Patrick Meister.
Federata Gjermane e Futbollit ka njoftuar se nga data 1 shtator, 33-vjeçari do të jetë zëvendëstrajner i Kombëtares U-21 të Gjermanisë, në krah të trajnerit Antonio Di Salvo.
“Shkodrani ka treguar gjatë vitit që punoi me ekipin U-17 se mund të ndihmojë të rinjtë të rriten profesionalisht. Ai njeh shumë prej lojtarëve me të cilët do të punojë në të ardhmen. Eksperienca e tij në fushë i jep një shtysë të re ekipit përfaqësues”, është shprehur Drejtori i Përgjithshëm i Federatës Gjermane të Futbollit, Andreas Rettig.
Mustafi, i lindur në Gjermani me prejardhje nga Gostivari, ka një karrierë të pasur si futbollist, duke fituar Kupën e Botës me Gjermaninë në vitin 2014 dhe duke luajtur për klube si Valencia, Arsenal e Schalke.