Murtezani nga Tirana: Korridori 8 – simbol i integrimit dhe ndërlidhjes evropiane

Murtezani nga Tirana: Korridori 8 – simbol i integrimit dhe ndërlidhjes evropiane

Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, sot mori pjesë në Konferencën e ambasadorëve #Diplo2025, që po mbahet në Tiranë, ku në kuadër të ditës së parë të Konferencës ishte folës në panelin me temë “Shqiptarët në rjaon – identitet i përbashkët, qëllim i përbashkët evropian”.

Murtezani, gjatë një adresimi publik, theksoi se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk duhet parë thjesht si një proces teknik, por si një zgjedhje vlerash e bazuar në një të ardhme të përbashkët.

Ai deklaroi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar fuqishëm ndaj agjendës evropiane, përmes implementimit të reformave thelbësore, të mbështetura nga Instrumenti për Ndihmë Para-Aderimit (IPA) dhe Instrumenti për Reforma dhe Rritje, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ministri rikujtoi edhe rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, e cila, sipas tij, e shndërroi Maqedoninë e Veriut në një demokraci funksionale multietnike dhe garantoi pjesëmarrje aktive të shqiptarëve në jetën politike dhe institucionale të vendit.

“Ky model është dëshmi se diversiteti është forcë që përforcon stabilitetin dhe përputhet me vlerat dhe standardet evropiane,” – u shpreh ministri Murtezani.

Ai gjithashtu nënvizoi nevojën për thellimin e lidhjes rajonale përmes projekteve të përbashkëta kulturore dhe infrastrukturore. Në këtë kontekst, Korridori 8 u përmend si simbol i integrimit dhe bashkëpunimit evropian, i cili jo vetëm lehtëson tregtinë, por edhe forcon lidhjet ndërmjet vendeve të rajonit.

 

MARKETING