Mucunski: Të mos lejojmë që procesi aderues të bëhet vegël për ndarje
Duke u lejuar çështjeve bilaterale të dominojnë në procesin e qasjes në BE, rrezikojmë ta shndërrojmë këtë mekanizëm në vegël të ndarjes, në vend se të jetë vegël e unitetit, porositi shefi i diplomacisë, Timço Mucunski në fjalimin para anëtarëve të Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).
“Përdorimi i vazhdueshëm bullgar i vetos në procesin e qasjes në BE është bllokadë posaçërisht e dhimbshme në rrugën tonë. Kjo jo vetëm se e ndal përparimin tonë, por edhe dërgon sinjale dekurajuese për gjendjen e solidaritetit evropian dhe respektimit të ndërsjellë”, tha Mucunski.
Sipas tij, me politikat dhe veprimet e tilla në vitet e fundit, po krijohet mosbesim, eksponohen në rrezik lidhjet e thella mes njerëzve, të ndërtuara me gjenerata dhe rrezikohen marrëdhëniet tona të mira fqinjësore.
“Më lejoni të jem i qartë, shteti dhe qeveria e jonë mbeten të përkushtuar në dialog dhe pajtim. Jemi të gatshëm të angazhohemi me vullnet të mirë për arritjen e zgjidhjeve, të cilat e respektojnë të kaluarën derisa ndërtojnë ardhmëri më të mirë. Por, kjo duhet të jetë përpjekje e përbashkët. Përparimi nuk mund të vijë nga kërkesa të njëanshme, kjo kërkon mirëkuptim për respekt të ndërsjellë dhe guxim për të dy palët. I bëjmë thirrje Bullgarisë që të na bashkangjitet në këtë dhe mundemi së bashku t’i tejkalojmë këto sfida dhe të ndërtojmë lidhje që e shpreh frymën e duhur të partneritetit evropoian”, tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Sipas tij, një nga mënyrat për mirëkuptim më të mirë është zhvillimi i diplomacisë kulturore, si ndërlidhje të angazhimit politik.
“Nëse ekziston një mirëkuptim real se rruga jonë është rruga drejt së ardhmes evropiane për të gjithë rajonin, atëherë pa dyshim, të gjitha sfidat që kemi përpara, sado të vështira qofshin ato, do të tejkalohen. Por ndërkohë, ne duhet të ndërtojmë besim mes vete”, shtoi Mucunski.
Ai potencoi se edhe pas të gjitha këtyre “ndryshimeve monumentale” që i ka bërë vendi, premtimet e dhëna nuk janë plotësuar, por shteti u ballafaqua edhe me pengesa të reja.
“Kur largonim një pengesë, paraqitej tjetra – padrejtësisht, papritmas dhe mjaftë dekurajuese. E kemi zgjidhur problemin shumëvjeçar me emrin me Greqinë përmes Marrëveshjes së Prespës, hap që disa e kanë përshëndetur si fitore të diplomacisë, por sapo ky kapitull është mbyllur, u paraqit një pengesë tjetër, e cila nuk është e lidhur me reformat tona, përparimin tonë ose gatishmërinë që t’i bashkangjiemi Bashkimit Evropian”, tha Mucunski.
Ai përkujtoi se vendi i ka harmonizuar të gjitha politikat me legjislaturën e BE-së, përpunoi agjendë reformuese të lidhur me Planin për rritje të Ballkanit Perëndimor dhe ka nënshkruar Marrëveshje për partneritet në sigurinë dhe mbrojtjen me Bashkimin Evropian.
Sipas tij, Parlamenti Evropian ka qenë gjithmonë një dritë shprese për vendet kandidate për anëtarësim, i cili me mbështetjen e tij për zgjerim është përkujtues se Bashkimi Evropian nuk është klub i mbyllur, por një projekt i gjallë që bëhet më i fortë me çdo anëtar të ri.
Ai theksoi se në pesë vitet e ardhshme, nevojitet përparim i dukshëm dhe guxim politik, ndërsa duke përfshirë zgjerimin në kornizën e ardhshme financiare shumëvjeçare të BE-së, do të dërgohet sinjal i fuqishëm që do të frymëzojë vendet kandidate për anëtarësim, për të vazhduar reformat dhe përpjekjet e tyre.
“Zgjerimi nuk është vetëm nevojë strategjike, por edhe imperativ moral. Bëhet fjalë për plotësimin dhe premtimin e Evropës se do të jetë Union i vlerave dhe interesave të përbashkëta, e jo vetëm Union gjeografik”, tha Mucunski.
Ai theksoi se vitin e ardhshëm vendi do të shënojë 20 vjet prej se u bë kandidat për anëtarësim në BE, por edhe pas 20 viteve reforma, sakrifikime, qëndrueshmëri dhe pritje që të hapet dera, ai ende beson në ëndërrën evropiane, se Unioni do t’i përmbush obligimet e veta.
Në përgjigje të pyetjes së eurodeputetëve, shefi i diplomacisë tha se vendit mund t’i jepen vërejtje për shumë gabime dhe për çështje të lidhura me luftën kundër korrupsionit ose reformës së administratës publike, por se nëse për diçka duhet t’i pranohet, ai ka arritur nivel të lartë në çështjen e minoriteteve dhe kemi standarde më të larta për mbrojtje të të drejtave të minoriteteve, madje më lartë se disa vende anëtare të BE-së.
Lidhur me ngjarjet me përdhosjen e flamurit shtetëror, Mucunski tha se bëhet fjalë për rast, i cili del nga fakti se “një parti e caktuar politike nuk mund të pranojë se tani është në opozitë dhe prej prapavijës bën çmos që të provokojë”, duke cekur se institucionet do ta zbardhin rastin në pajtim me legjislaturën kombëtare dhe Kushtetutën tonë.
“Nuk do të lejojmë që individë, të cilët dëshirojnë t’i ruajnë karrierat e tyre politike, ta minojnë indin shumë mirë të ndërlidhur mes vete, që ekziston në shoqërisnë tonë”, tha Mucunski.
I pyetur për realizimin e Korridoreve 8 dhe 10, Mucunski tha se këto dy projekte, së bashku me interkonektorin me Greqinë, paraqesin investime strategjike kyçe të Qeverisë për vitet në vijim dhe prioritete kyçe, jo vetëm në aspektin politik dhe të sigurisë, por edhe nga pikëpamja ekonomike dhe tregtare.
“Absolutisht të mos ketë dyshim se Qeveria e jonë do të investojë shumë dhe me përpjekje maksimale në dy Korridoret 8 dhe 10, për të cilat shohim interes të ndërsjellë, jo vetëm për popullin tonë, por edhe për popujt të cilët shumica prej jush i përfaqësoni këtu”, u tha Mucunski eurodeputetëve.
Lidhur me Marrëveshjen e Prespës, shefi i diplomacisë tha se edhe pse mund ta shohim si padrejtësi ndaj vendit tonë, megjithatë në pajtim me parimin e së drejtës publike ndërkombëtare, do ta respektojmë, por të njëjtën presim edhe nga fqinjët tanë.
“Nëse mes nesh ekziston vullnet i mirë dhe kulturë për kompromis, atëherë mund të jem i bindur se nuk ka asnjë sfidë që nuk mund ta tejkalojmë”, tha Mucunski.
Në pyetje për respektimin e Kritereve të Kopenhagës, ai potencoi se Qeveria do të mbetet plotësisht e përkushtuar në zbatimin e reformave si mënyrë e vetme për europeizimin e plotë të sistemit juridik, politik dhe të përgjithshëm shoqëror në vend.
Në fjalimin përfundimtar, Mucunski tha se duhet të dëshmojmë se nuk ka dyshim për vendin e të gjitha shteteve nga Ballkani Perëndimor në BE dhe se sa është e mundur më shpejtë, ato do të bëhen anëtarë të plotëfusihëm të Bashkimit Evropian.
Kryetari i Komisionit, Mekalister theksoi se Parlamenti Evropian është përkrahës i madh i rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se gjatë këtij viti në vend pati zgjedhje që çuan në ndryshimin e pushtetit dhe ai përpiloi një agjendë reformuese në përputhje me planin e KE-së për rritjen e Ballkanit Perëndimor.
“Maqedonia e Veriut përfundoi me sukses procesin e Skriningut në fund të vitit të kaluar, ndërsa hapi tjetër do të ishte hapja e asaj që ne e quajmë klasteri ‘Vlerat themelore’, por për shkak të parakushtit të vendosur nga Këshilli (i BE-së), i cili përfshin ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, deri tani kjo nuk ka ndodhur”, tha Mekalister.