Mucunski nga Bledi: Zgjerimi i BE-së nuk guxon të jetë peng i kontesteve bilaterale

Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk guxon të jetë peng i kontesteve bilaterale apo çështjeve të identitetit. Nëse kjo lejohet, rrezikon jo vetëm stagnim të një vendi, por edhe humbje të kredibilitetit të tërë procesit, potencoi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski në mëngjesin e punës me shefat e diplomacive të vendeve nga Ballkani Perëndimor dhe të dërguarit e posaçëm e BE-së për zgjerim, mbajtur në kuadër të Forumit strategjik të Bledit.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në rrugën evropiane dhe punon në mënyrë aktive në reformat dhe implementimin e Planit të BE-së për rritje, njëkohësisht duke cekur se procesi i zgjerimit duhet të jetë i bazuar në merita dhe kritere të qarta.

Mucunksi, siç kumtoi MPJdheJT, e ceki rolin kyç të stabilitetit rajonal dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, duke vlerësuar se krizat e tanishme globale akoma më tepër e rrisin nevojën për kohezion evropian.
“Në një botë të luftërave, kërcënimet për sigurinë dhe tronditjet ekonomike, Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për një tjetër më shumë se kurdoherë. Stabiliteti ynë është stabilitet evropian. Përparimi ynë është përparim evropian”, theksoi Mucunski.
Me atë rast, ai e nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe e përshëndeti rolin e të dërguarve të posaçëm të BE-së, duke vlerësuar se angazhimi është kyç për mirëmbajtje të vëmendjes ndaj rajonit dhe nxitjes së zgjidhjeve praktike.
“Besojmë në dialog, besojmë në komppromis kur ai është i drejtë dhe i ndërsjelltë – dhe para së gjithash, besojmë në vizion për një Evropë të bashkuar, stabile dhe prosperuese me Ballkanin Perëndimor në familjen e vet”, konkludoi Mucunski.