Mucunski në sesionin e 134-të të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës në Luksemburg

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, mbajti një fjalim në sesionin e 134-të të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës në Luksemburg, në të cilin morën pjesë ministra të punëve të jashtme të vendeve anëtare dhe përfaqësues të lartë të Organizatës.
MARKETING
Takimi, siç bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, u mbajt në kontekstin e sfidave aktuale gjeopolitike, me fokus në mbështetjen për Ukrainën, rolin e Këshillit të Evropës në mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit evropian.
Theks në bisedime u vu edhe në Paktin e ri Demokratik për Evropën dhe mundësitë për zhvillimin e një demokracie më gjithëpërfshirëse dhe më rezistente.
U shkëmbyen mendime edhe mbi zbatimin e Deklaratës së Samitit të Rejkjavikut, për bashkëpunim midis Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, si dhe për çështje që lidhen me mbrojtjen e mjedisit nga perspektiva e të drejtave të njeriut.
“Në margjinat e takimit, Maqedonia e Veriut e nënshkroi Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, dhe në kuadër të sesionit u krye edhe pranim-dorëzimi i kryesimit gjashtëmujor të Komitetit të Ministrave nga Luksemburgu te Malta”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Ministri Mucunski në margjinat e sesionit, zhvilloi edhe takim dypalësh me ministrin e Punëve të Jashtme të Armenisë, Ararat Mirzojan. Biseda, siç thuhet në kumtesë , u përqendrua në marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve, si dhe në ngjarjet aktuale gjeopolitike.
Ministri Mucunski mbërriti në Luksemburg nga Stokholmi, ku ndodhej për një vizitë pune në Suedi.