Mucunski-Kallas: Mbetemi plotësisht në linjë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka takuar përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme, Kaja Kallas, në kuadër të një takimi të Dialogut për Siguri dhe Mbrojtje midis vendit dhe bllokut evropian, transmeton Anadolu.
MARKETING
Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme, takimi zyrtarisht u hap nga ministri Mucunski, i cili në fjalën e tij theksoi vendosmërinë dhe përkushtimin e fortë të vendit të tij për të qenë partner i besueshëm i BE-së dhe NATO-s në adresimin e sfidave të sigurisë në mjedisin kompleks gjeopolitik.
“Si shtet, ne mbetemi plotësisht në linjë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Përafrimi ynë 100 për qind nuk është vetëm një detyrim teknik, por gjithashtu një pasqyrim i qartë i orientimit tonë strategjik dhe vlerave të përbashkëta. Ne mbështesim të gjitha përpjekjet ekzistuese për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Evropë, duke mbetur konsistent në ndarjen e barrës së përbashkët duke vazhduar mbështetjen për Ministrinë tonë të Mbrojtjes, duke përfshirë mbështetjen e përgjithshme për Ukrainën”, tha Mucunski.
Nëpërmjet një dialogu të hapur dhe konstruktiv, të dyja palët shkëmbyen mendime mbi çështjet e sigurisë rajonale dhe luftën në Ukrainë. Po ashtu u theksua rëndësia e stabilitetit rajonal dhe roli i Maqedonisë së Veriut, si anëtare e NATO-s dhe kandidate në BE, në forcimin e arkitekturës evropiane të sigurisë.
Në këtë takim u dha edhe një pasqyrë e aktiviteteve që lidhen me pjesëmarrjen e vendit në misione dhe operacione në kuadër të “politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes”, si dhe aktivitetet e vazhdueshme për adresimin e kërcënimeve kibernetike dhe hibride, komunikimin strategjik, luftimin e dezinformimit dhe ndikimeve të huaja, si dhe pjesëmarrjen e grave në këto procese.
Në hapjen e takimit të dialogut në kuadër të partneritetit Maqedoni e Veriut-BE, folën edhe zyrtarja e lartë Kallas dhe ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski.
Sipas ministrisë maqedonase, ky dialog i parë për siguri dhe mbrojtje midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së shënoi fillimin e konsultimeve të rregullta politike dhe të ekspertëve, të cilat do të mundësojnë monitorimin e zbatimit të partneritetit dhe hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim në interes të paqes, stabilitetit dhe sigurisë së qytetarëve.
Kallas sot qëndron në vizitë në Maqedoni të Veriut, ku më herët u prit në takim edhe nga kryeministri Hristijan Mickoski, ndërsa gjatë dy ditëve të kaluara vizitoi edhe Serbinë dhe Kosovën.