Muçi e Rashica protagonistë kryesorë, mundin në derbin e shqiptarëve Çikalleshin dhe Et’hemin

Muçi e Rashica protagonistë kryesorë, mundin në derbin e shqiptarëve Çikalleshin dhe Et’hemin

Besiktas rikthehet te fitorja në Superligën turke teksa mposhtën në shtëpi Konyasporin e Sokol Cikalleshit dhe Valon Et’hemit. Gjigandët nga Stambolli triumfuan me shifrat 2-0 teksa protagonist për Besiktas ishin Ernest Muçi dhe Milot Rashica. Ishte pikërisht sulmuesi i kombëtares ai që lëshoi sinjalin e parë në portën e Konyaspor teksa tentoi me një goditje të fortë nga distanca, goditje që u ndal në dy kohë nga portieri kundërshtar.

Pak minuta më pas, Muçi tentoi sërish, por këtë herë humbi ekuilibrin në momentin e goditjes. Kështu, pjesa e parë u mbyll pa gola.

Por, në fraksionin e dytë, dyshja shqiptare mori “frenat e lojës në dorë”. Milot Rashica ishte protagonist në golin e parë teksa harkoi në mënyrë perfekte me topin që u devijua saktësisht nga Kilicsoy.

Në 71-tën, Rashica kombinoi bukur me Muçin me këtë të fundit që goditi në portë. Portieri nuk e kontrolloi topin dhe nga aty pranë përfitoi Cenk Tosun që realizoi golin e dytë.

Përfundimisht, ndeshja u mbyll me rezultatin 2-0 me Besiktas që ngjitet në kuotën e 43 pikëve në vend të pestë, po aq sa edhe Trabzonspori i vendit të tretë. Ndërkohë, Konyaspori i Cikalleshit mban vendin e 19 me 25 pikë.

MARKETING