MPJ e Bullgarisë dënon deklaratën e Mickoskit: Fyes dhe në kundërshtim me normat diplomatike

MPJ e Bullgarisë dënon deklaratën e Mickoskit: Fyes dhe në kundërshtim me normat diplomatike

Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së fundit të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe fyese në raportet ndërkombëtare.

Deklarata e Mickoskit erdhi pas komenteve të Georg Georgiev, përfaqësues i diplomacisë bullgare, i cili e quajti atë “kryeministri maqedonasverior”. Në reagimin e tij, Mickoski u shpreh me tone ironike:

“Nuk do të komentoja për atë djalë. Ju bëj thirrje juve, mediave, lëreni atë aty. Kjo është një qeveri që drejtohet nga dikush tjetër në sfond. Ata njerëz i dhanë detyrën ‘vazhdo dhe ngacmo’, njësoj si kur një mi ngacmon një luan.”

Kjo deklaratë është pritur me kritika të ashpra nga Bullgaria. Në një reagim zyrtar, MPJ bullgare theksoi se retorika e përdorur nga Mickoski nuk përputhet me standardet bazë të komunikimit diplomatik dhe politik.

“Deklarata të tilla janë në kundërshtim të hapur me parimet e fqinjësisë së mirë, të cilat Maqedonia e Veriut pretendon publikisht se i respekton, por në praktikë i shkel rëndë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.

Ky zhvillim vjen në një periudhë të tensionuar të marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat vazhdojnë të përballen me sfida në rrugën drejt normalizimit dhe bashkëpunimit rajonal.

MARKETING