MPJ: Aktivitetet e fundit nga Bullgaria nuk janë në përputhje me praktikën e rënë dakord për avancimin e marrëdhënieve
Ministria e Punëve të Jashtme i ndjek me vëmendje deklaratat dhe aktivitetet që vijnë nga Republika e Bullgarisë dhe me keqardhje konstaton se aktivitetet e fundit të Sofjes zyrtare nuk janë në përputhje me praktikën e dakorduar për avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella; përkundrazi, ato paraqesin nënshtrim ndaj provokimeve të atyre që duan t’i prishin përpjekjet e dy Qeverive për zhvillim të qëndrueshëm dhe pozitiv të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Nga MPJ-ja theksojnë se ndonëse thirrja e Ambasadorit për konsultim në vendin amë është e drejtë e vendit dërgues dhe praktikë e rregulltë diplomatike, Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhje për një hap të këtillë, të cilin e cilëson si të pabazuar, të pambështetur me argumente të vlefshme dhe joproporcional.
“Republika e Maqedonisë së Veriut tregoi një kapacitet të fuqishëm demokratik dhe institucional dhe përmes një procedure të shpejtë dhe efikase e kaloi incidentin e fundit në proceset gjyqësore, duke i zbuluar dhe arrestuar autorët e veprës penale, ndaj të cilëve në mënyrë aktive po kryhen veprime hetimore. Gjithashtu, përmes deklaratave të tyre në nivelin më të lartë, Presidenti i shtetit, Kryetari i Qeverisë dhe Ministri i Punëve të Jashtme e dënuan incidentin, ndërsa Ministri gjithashtu bëri një vizitë urgjente në Sofje, duke përfshirë edhe vizitë tek i lënduari, me qëllim që qartë të demonstrojë vendosmërinë e autoriteteve shtetërore në garantimin e sigurisë juridike, sigurisë dhe rendit të qëndrueshëm publik”, thonë nga MPJ-ja.