MPB: Nesër në poligonin “Krivollak” do të shkatërrohen mina të sekuestruara para 15 vjetësh
Në poligonin “Krivollak” nesër do të shkatërrohet një sasi e madhe mjetesh shpërthyese-mina të sekuestruara para 15 vjetësh, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
“Sot, nëpunës policorë nga Departamenti i Policisë Kriminalistike – Njësiti për Tregti të Palejuar të Armëve, Lëndëve të Rrezikshme dhe Materialeve Radioaktive në koordinim dhe bashkëveprim me nëpunësit policorë nga Njësiti për Zbulimin dhe Çmontimin e Mjeteve dhe Pajisjeve Shpërthyese në Departamentin për Goditjen e Krimit të Organizuar dhe të Krimit të Rëndë, bazuar në një plan të përgatitur paraprakisht, po ndërmarrin masa dhe aktivitete të përshtatshme për asgjësimin e një sasie të madhe mjetesh shpërthyese – minash. Pas plot 15 vjet, gjatë ditës së nesërme, mjetet shpërthyese -minat nga kazerma “Gjorçe Petrov” deri në poligonin e armatës “Krivollak” do të transportohen me mjete transportuese -kamionë të ARM-së, ku në prani të Komisionit për shkatërrimin e armëve, pjesëve dhe komponentëve të armëve, municionit dhe materialit shpërthyes, nga nëpunës policorë të Njësitit për Zbulimin dhe Çmontimin e Mjeteve dhe Pajisjeve Shpërthyese, ekspertë nga ARM-ja dhe piroteknikë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, do të kryhet shkatërrimi i tyre me detonim të kontrolluar”, theksojnë nga Ministria.
Siç theksojnë nga MPB-ja, fakti që ky është rasti i parë i shkatërrimit të këtij lloji mjetesh shpërthyese-minash pas 15 vjetësh, për fat të keq, tregon se më parë nuk është trajtuar në mënyrë të përshtatshme siguria e qytetarëve me seriozitetin e duhur.
“Hapi i sotëm tregon qartë se me një qasje të përgjegjshme, me një përkushtim të mirëfilltë dhe me një menaxhim profesional, ky segment i sistemit të sigurisë më në fund po vendoset në nivelin që duhej të ishte shumë kohë më parë”, njoftuan nga MPB-ja.

