MPB: Ndalesa për vozitje nuk do të shënohet më fizikisht në patentën e shoferit

MPB: Ndalesa për vozitje nuk do të shënohet më fizikisht në patentën e shoferit

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se janë bërë ndryshime në procedurat administrative për zbatimin e sanksionit “ndalim i drejtimit të mjetit motorik”.

Sipas rregullave të reja, ndalimi nuk do të vendoset më fizikisht në patentën e shoferit. Kjo do të thotë se qytetarët nuk do të kenë më nevojë të paguajnë për një patentë të re me shënim për ndalim.

Në vend të kësaj, MPB do t’i njoftojë qytetarët përmes SMS-it dhe email-it. Fillimisht do të dërgohet një mesazh me informacione për llojin dhe kohëzgjatjen e ndalimit. Tetë ditë më vonë do të dërgohet një mesazh i dytë, dhe nga momenti i pranimit të tij fillon zyrtarisht ndalimi i drejtimit.

Nga MPB theksojnë se ndalimi nuk fillon nga dita kur plotësohet deklarata në sektorët administrativë, por vetëm pas pranimit të mesazhit të dytë.

Ministria u bën thirrje qytetarëve që kanë vendime të formës së prerë për këtë sanksion dhe që kanë marrë ftesë nga MPB, të paraqiten në zyrat përkatëse për të përditësuar të dhënat e kontaktit (numrin e telefonit dhe email-in).

Sipas MPB-së, me këto ndryshime procedurat do të jenë më të shpejta dhe më të thjeshta për qytetarët.

MARKETING