MPB jep detaje të reja për rastin tragjik në Veles

MPB jep detaje të reja për rastin tragjik në Veles

Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë detaje të reja lidhur me një ngjarje tragjike që ndodhi sot pasdite në qytetin e Velesit.

Rreth orës 15:30, Sektori për Punë të Brendshme në Veles ka marrë njoftim se në rrugën “Koço Racin” është gjetur një grua me lëndime të rënda të shkaktuara nga një mjet i mprehtë.

Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe konstatoi se bëhej fjalë për R.K. (31) nga Velesi. Ajo u transportua me urgjencë nga Shërbimi i Mjekësisë së Shpejtë në Spitalin e Velesit, ku fatkeqësisht u shpall e vdekur.

Gjatë hetimeve të mëtejshme, në shtëpinë e babait të viktimës – e cila ndodhet në të njëjtën rrugë – u gjet i vdekur edhe babai i saj, K.K. (68), gjithashtu me plagë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë.

Në të njëjtën shtëpi, policia gjeti edhe I.S. (39) nga Shkupi, ish-partner i R.K.-së, i cili kishte lëndime të ngjashme. Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se ai ka sulmuar R.K. dhe babain e saj, e më pas ka tentuar të vetëvritet. Ai u dërgua në spital, ku gjithashtu u konfirmua vdekja e tij.

Ngjarja po hetohet nga prokurori publik në bashkëpunim me ekipin hetimor të SPB Veles, ndërsa autoritetet po ndërmarrin masa për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie.

MARKETING