Modric zbulon pse zgjodhi Milanin pas largimit nga Real Madridi

Ish-mesfushori i Real Madridit, Luka Modric, ka folur hapur për vendimin e tij për t’iu bashkuar AC Milanit, pas përfundimit të aventurës së gjatë në “Santiago Bernabeu”.
Shumë klube donin transferimin e veteranit kroat, por ai ka zbuluar se Milanit iu bashkua pasi donte të luante në Evropë dhe të luante futboll konkurrues.
“Kisha disa oferta të tjera, por kur Milani u shfaq, ishte e qartë për mua. Isha gati që nga momenti i parë”, deklaroi Modric.
Ai tregoi se klubi kuqezi e kishte bindur që në fillim me seriozitetin e qasjes dhe me projektin e tyre.
“Më bëri përshtypje se si erdhën në Kroaci për të më prezantuar projektin dhe gjithçka tjetër. Kjo ishte shumë e rëndësishme për mua,” shtoi kroati.
“Milani është një nga klubet më të mëdha në Evropë,” përfundoi Modric, i cili pritet të jetë një nga liderët e rinj të skuadrës së Massimiliano Allegrit.