Modriç kërkon që të mos i përmendet mosha

Modriç kërkon që të mos i përmendet mosha

Luka Modriç i dha një dhuratë të veçantë vetes dhe Milanit, duke shënuar golin e vetëm në fitoren 1-0 ndaj Bolonjës në “San Siro”, vetëm pak ditë pas ditëlindjes së tij të 40-të.

Ndeshja ishte e luftuar, me Bologna-n që pati periudha të gjata në posedim, ndërsa kuqezinjtë goditën shtyllën disa herë përpara se Modriç të thyejë rezistencën. Kroati e nisi dhe e përfundoi aksionin, pas një kombinimi me Alexis Saelemaekers, duke realizuar golin e parë të tij me fanellën e Milanit.
“Shpresoj që njerëzit të mos më kujtojnë më moshën time. Ishte një mënyrë e shkëlqyer për të festuar, fituam dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Ale më dha një top të shkëlqyer dhe ishte e lehtë të shënoja”, tha Modriç për DAZN Italia.

Me këtë realizim, ai u bë lojtari i pestë në histori që shënon në Serie A pasi mbushi 40 vjeç. Modriç theksoi se skuadra po fiton vetëbesim ndeshje pas ndeshjeje dhe se me rikthimin e lojtarëve dhe njohjen më të mirë mes tyre, Milani do të bëhet më i fortë.
Shok skuadre i tij, Saelemaekers, e vlerësoi kroatin si një lojtar të jashtëzakonshëm dhe një njeri edhe më të madh: “E kam parë Modriçin kur isha fëmijë, ta kem tani pranë është një ëndërr. Për golin ishte ai që bëri gjithçka.”

Trajneri Massimiliano Allegri u përjashtua në fund të ndeshjes pas protestave, por ekipi i tij arriti një fitore të rëndësishme që e mban Milanin në rrugën e duhur në Serie A.

MARKETING