Mjaft më! Shvercerat ngrejnë alarmin për fatin e FC Shkupit

Në një reagim të fuqishëm, grupi i tifozëve “Shvercerat” akuzojnë drejtuesit aktualë të Shkupit, për përfshirje në skandale me bastore dhe paralajmërojnë masa të ashpra për të mbrojtur integritetin e klubit. Më poshtë, komunikata e plotë:
Mjaft më!
Është koha që t’i ndajmë me ju informacionet për ndodhitë që po zhvillohen në klubin tonë të zemrës.
FC Shkupi, tash e një vit, gjendet në një situatë të vështirë. Edhe pse ne kemi dalë në krah të klubit dhe kemi siguruar mjete financiare dhe sponsorë për ta mbajtur gjallë, përfaqësuesit nga Turqia po tallen me gjithë qytetin dhe klubin tonë.
Duam të informojmë opinionin publik, sipas të dhënave që kemi, se gjatë sezonit të kaluar, kryetari i klubit së bashku me disa prej drejtorëve (të cilët për fat të keq nuk janë më pjesë e klubit) kanë manipuluar disa ndeshje për përfitime personale, duke i regulluar ato për bastore!
Fatkeqësisht, sot kryetari ka emëruar drejtor të ri me të njëjtin mentalitet. Dje, pas marrjes së informatave që ndeshja miqësore me KF Arsimi synohej të manipulohej për bastore, vendosëm që, në bashkëpunim me Federatën dhe klubin e Arsimit, ta anulojmë atë.
Sipas informatave tona të fundit, Shkupi do të udhëtojë sot drejt Turqisë vetëm për të rregulluar një tjetër ndeshje për qëllime bastesh. Apelojmë te të gjitha organet kompetente në vend që të ndërhyjnë urgjentisht dhe të ndalojnë këtë turp që po ndodh para syve tanë.
Ne, si kryesi e grupit të tifozëve, kemi marrë vendim të qartë: pasi nuk po gjejmë asnjë mënyrë për të marrë klubin në dorë, kërkojmë që klubi të mos zhvillojë asnjë ndeshje. Do të bëjmë gjithçka që çdo ndeshje të mos zhvillohet, sepse në çdo rast do të ketë mundësi për manipulime në bastore. Në fund, si shumë klube të tjera në Maqedoni, edhe ky klub rrezikon të përfundojë me “kyçin në derë” dhe pronarët të zhduken pa adresë.
Ftojmë të gjithë dashamirët e klubit dhe sportit që të na përkrahin, që të mos lejojmë të përdhoset emri i një klubi që me vite ka qenë dhe vazhdon të jetë krenaria e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Kjo luftë do të jetë e vështirë, por për të mirën e fëmijëve të këtij qyteti, besojmë se në fund do të arrijmë fitoren.
Shkupi gjithmonë ka qenë i Shvercerave!