Ministrja gjermane: Ballkani e ka vendin në BE, dhe ne do t’i mbështesim shtetet në këtë rrugë

Ministrja gjermane: Ballkani e ka vendin në BE, dhe ne do t’i mbështesim shtetet në këtë rrugë

“Pavarësisht të gjitha sfidave, unë besoj se Ballkani Perëndimor e ka vendin e tij në BE dhe Gjermania do të vazhdojë të mbështesë vendet në këtë rrugë”, tha Anna Luhrmann, ministre e Shtetit për Evropën dhe Klimën në Ministrinë e Jashtme Federale Gjermane, në fjalën e mirëseardhjes në Forumin e Shoqërisë Civile dhe Think Tank 2024 gjatë ditës së djeshme në Berlin.

Kjo konferencë ndërkombëtare mbahet në datat 8-10 tetor, në kuadër të Procesit të Berlinit dhe organizohet nga Shoqata e Evropës Juglindore dhe Instituti Aspen Gjermani, me mbështetjen e Zyrës Federale Gjermane.

Duke iu referuar dhjetëvjetorit të fillimit të Procesit të Berlinit, Luhrmann tha se organizatat e shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor janë pjesë përbërëse e tij dhe se është e impresionuar nga kontributi i tyre në këtë proces. Gjithashtu, ajo theksoi se sektori i OJQ-ve në rajon është përballur me sfida të shumta.

“Këto sfida përfshijnë mungesën e fondeve dhe, çka është shumë më keq, shoqëria civile në Ballkanin Perëndimor shpesh përballet me frikësime, konkretisht me kërcënime, të cilat janë bërë gjë e zakonshme në ditët e sotme. Kjo është ajo që po shohim në Serbi tani. Më lejoni të jem e sinqertë – kjo është krejtësisht e papranueshme. Edhe në situatat kur nuk ka konsensus në opinion, obligimi i autoriteteve, përfshirë ato në Serbi, është të mbrojnë të gjithë aktorët në jetën publike, që nënkupton lirinë e fjalës”, ka theksuar ministrja gjermane, raporton “europeanwesternbalkans.com”.

Ajo theksoi se Gjermania vazhdimisht u bën thirrje autoriteteve në Serbi që të lehtësojnë debatin civil, si dhe të përmirësojnë sundimin e ligjit.
“Këto janë themelet që janë të lidhura ngushtë me përparimin e mëtejshëm në anëtarësimin në BE, si dhe me aderimin në tregun e përbashkët të BE-së”, tha Anna Luhrmann.

Sipas ministres gjermane, qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor “duhet të dëshmojnë se me të vërtetë respektojnë vlerat e BE-së dhe se janë seriozisht të përkushtuara ndaj qëllimit që lidhet me integrimin evropian”. Siç theksoi ajo, kjo kërkon vullnet të fortë politik, besim dhe bashkëpunim mes vendeve të këtij rajoni.

Luhrmann iu referua gjithashtu përpjekjeve të disa politikanëve, që synojnë destabilizimin e rajonit dhe si një nga “kërcënimet për demokracinë” në Ballkanin Perëndimor, ajo përmendi “fushatat e shpeshta të dezinformimit”. Sipas saj, “Duhet të bashkëpunojmë më shumë për të zbardhur pjesët e dezinformatave”.

Duke folur për të ardhmen e Procesit të Berlinit, ministrja gjermane theksoi nevojën e arritjes së pajtimit në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të gjitha vendet e rajonit të anëtarësohen në BE, “në unionin e paqes dhe prosperitetit”. Sipas saj, një nga detyrat e rëndësishme të “Gjashtës së Ballkanit Perëndimor” është zbatimi i synimeve në lidhje me të ashtuquajturin “Tranzicioni i Gjelbër”.

Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 si një platformë për të rritur bashkëpunimin midis Gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve pritëse të Procesit të Berlinit, si dhe BE-së. Përfaqësuesit e lartë zyrtarë të Gjashtës së Ballkanit Perëndimor (BB6) dhe kolegët e tyre në vendet pritëse të Procesit të Berlinit takohen të paktën një herë në vit në Samitin dhe takimet përgatitore të Ministrave. Procesi përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile, rininë dhe bizneset e rajonit.

MARKETING